Greqi, Kotzias jep dorëheqjen pas një debati me Kamenos

schedule14:33 - 17 Tetor, 2018

schedule 14:33 - 17 Tetor, 2018

Përplasjet politike në Greqi lidhur me marrëveshjen e Prespës kanë shkaktuar “viktimën e parë”. Ministri i Jashtëm,, Nikos Kotzias, ka dhënë dorëheqjen për shkak të një përplasjeje me ministrin e Mbrojtjes, Panos Kamenos, që e konsideron paktin me Shkupin shitje të vendit.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, ka dhënë të mërkurën dorëheqjen nga posti për shkak të një përplasjeje politike lidhur me marrëveshjen e Prespës. Sipas mediave ndërkombëtare, Kotzias ka patur një përplasje të fortë me ministrin e Mbrojtjes, Panos Kamenos, një kundërshtar i ashpër i paktit që i jep fqinjit emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.

Përmes një postimi në Twitter pas largimit, Kotzias u shpreh: “Donin të më varrosnin thellë në tokë dhe unë harrova që jam vetëm një farë”.

Ndërkohë, kryeministri Aleksis Tsipras ka pranuar dorëheqjen e ministrit të tij, që mund të konsiderohet “viktima e parë” e përpjekjes për t’i dhënë fund kontestit me Maqedoninë që zgjat prej disa dekadash.

Tsipras bëri me dije se do të mbulojë personalisht detyrën e ministrit të Jashtëm deri në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm dhe deklaroi se do të bëjë gjithçka që marrëveshja e Qershorit të implementohet, pavarësisht se kundërshtohet në të dyja anët e kufirit.

“Ky është një sinjal se nga sot e tutje nuk do të lejohet më asnjë qëndrim i dyfishtë kur bëhet fjalë për interesin kombëtar”, tha Tsipras.

Kamenos, që drejton një parti të vogël të krahut të djathtë, e sheh marrëveshjen me Shkupin si shitje të vendit dhe ka kërcënuar me braktisje të koalicionit qeverisës nëse ajo shkon për votim në Parlament.

“Si ai edhe Kotzias janë dy njerëz me karakter shpërthyes”, ka thënë një burim i besueshëm për agjencinë “Reuters”.

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Tsipras u bëri thirrje ministrave që ta mbështesin në rast se opozita kërkon një votëbesim./abcnews.al