Çelet në Baldushk panairi me gatime dhe prodhime artizanale

schedule13:43 - 17 Tetor, 2018

schedule 13:43 - 17 Tetor, 2018

Në pikat hyrëse të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës do të ngrejë tregje për shitjen e produkteve bujqësore bio gjatë fundjavës. Kryebashkiaku Erion Veliaj prezantoi iniciativën që u vjen në ndihmë fermerëve të zonës dhe ndihmon në zhvillimin e ekonomisë lokale në panairin me prodhime tradicionale organizuar në Baldushk.

Erjon Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: “Do të shfrytëzojmë të gjitha hyrjet në Tiranë; nëse Dajti dhe Shëngjergji e kanë hyrjen nga Kinostudio, bashkë me njësitë 3 dhe 4 do të ngrejmë një treg për të shtunën dhe të dielën, në një vend që e cakton bashkia, që tregtarët të shesin sa të duan, pa pagesë. Nëse nga Rruga e Elbasanit e ka aksesin Baldushku, Bërzhita, Farka, Petrela, Krraba, atëherë diku në hyrje të rrugës së Elbasanit do të ngrejmë një treg, ku në fundjavë të shiten të gjitha produktet bio. Pra, edhe shesim produktet, edhe nuk shpërndahemi në çdo hyrje pallati, ku sigurisht edhe për banorët është një lloj bezdie”.

Veliaj përsëriti thirrjen drejtuar qytetarëve për të konsumuar produkte vendase, ndërkohë që siguroi banorët e fshatit Baldushk për më shumë investime.

“Fakti që bashkia ndërtoi rrugën, të cilën komuna me buxhetin e saj s’do ta bënte dot kurrë, fakti që janë bërë disa qendra fshatrash, fakti që disa fshatra i kemi futur te projekti i qeverisë për ‘100 fshatrat’, do të thotë se është rritur vëmendja për zonat rurale. Si bashki, vitin tjetër do të bëjmë gjithë qendrën e komunës, për ta kthyer në pikë turistike, që njerëzit të vijnë në Baldushk”.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, vlerësoi iniciativën për krijimin e tregjeve lokale dhe apeloi për aplikimin e këtij modeli edhe nga njësi të tjera lokale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!