Non-grata nga SHBA, Kadilli: Berisha të vazhdojë betejën nën emrin e vet, pa përfshirë PD

schedule17:06 - 20 Maj, 2021

schedule 17:06 - 20 Maj, 2021

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli ka reaguar pas vendimit të SHBA për të shpallur ish-kryeministrin Sali Berisha non grata. Kadilli shprehet se Berisha i ka të gjitha mundësitë të mbrohet dhe ta sqarojë këtë çështje privatisht pa përfshirë Partinë Demokratike. Ai shprehet se PD duhet të jetë e qartë në qëndrimin e saj ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë pa i kompromentuar marrëdhëniet me partnerin strategjik dhe mikun më të madh të Shqipërisë, SHBA.

“Lajmi i shpalljes së z. Berisha persona non grata nga Sekretari i Shtetit, ka provokuar shumë emocione, sidomos mes mbështetësve dhe atyre që kanë rrugëtuar në politikë krah tij. Në 30 vjetorin e vendosjes se marrdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, ky vendim sjell shqetësim për të gjithë. Kujtoj ende imazhet e drejtuesve demokratë Berisha dhe Pashko, si të ftuar specialë të këtij momenti historik.

Sot, në një situate krejtësisht të përmbysur, Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën të mbrohet dhe ta sqarojë këtë çeshtje privatisht. Kam bindjen se ai do e shmangë PD nga përfshirja në këtë çështje të së djeshmes duke e marrë nën emrin e vet betejën finale për emrin dhe historinë.

Partia Demokratike, si partia e atyre që formuluan idetë politike dhe u frymëzuan nga zëri dhe ethosi amerikan, do të jetë dhe duhet të jetë e qartë në qëndrimin ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, dhe nuk do t’i kompromentojë në asnjë rast marrdhëniet me partnerin strategjik dhe mikun më të madh të Shqipërisë”, shkruan Kadilli./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!