Tre tituj në tre vende me motive kuqezi, Gledi Mici është kampioni i trojeve shqiptare

schedule18:38 - 18 Maj, 2021

schedule 18:38 - 18 Maj, 2021

Në verën e shkuar flitej se kishte marrëveshje me Partizanin, por në fund merkatoja e të kuqve nuk u hap për shkak të dënimit nga FIFA dhe Prishtina arriti të sigurojë shërbimet e 30-vjeçarit, që u bë direkt lojtar titullar dhe një nga më të mirët e krahut të majtë të difensivës.

Ai luajti 31 ndeshje dhe dhuroi dy asiste për Prishtinën në Superligën e Kosovës dhe në fund bashkë me shokët e ekipit arritën të kthejnë titullin kampion në kryeqytetin dardan pas disa vitesh. Me këtë triumf Mici feston edhe një rekord mjaft të veçantë dhe simbolik.

 

30-vjeçari është një nga të paktët shqiptarë që ka arritur të fitojë kampionatet përkatëse në tre vende fqinje, të mbushur me shqiptarë: Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut. Ai është shpallur kampion me Skënderbeun në vitin 2018 në Shqipëri, me Shkëndijen një vit më pas në Maqedoni dhe këtë edicion me Prishtinën në Dardani.

 

Një statistikë unike e Micit, i cili ka provuar disa shije kampioni dhe në ditët në vijim shpresojmë të mësojmë se cilin ka shijuar më shumë. Të njëjtin rekord e ka arritur më parë edhe Izair Emini, që ka fituar me Shkëndijën, Dritën dhe Kukësin tre ligat fqinje. /abcnews.al