Ilir Daja, trajneri i Partizanit, pas ndeshjes në Durrës me Teutën ka analizuar paraqitjen e skuadrës së tij në lidhjen direkte në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Tekniku kryeqytetas deklaroi:
“Kemi realizuar objektivin e pjesëmarrjes në Europa League, por nuk kënaqemi. Kishim tension sepse luanim me Teutën kryesuese, që nuk e kishim mundur në tre takimet e shkuara. Teuta filloi vrullshëm dhe kishim probleme. E dua gjithmonë ekipin në sulm, por ndonjëherë na detyron kundërshtari.
Kishim punuar të presonim lart, por ishte e arsyeshme të luanim ashtu dhe na kënaq kjo fitore ndaj një ekipi të tillë. Në stërvitjet para ndeshjes kishim probleme me Junior dhe Brojën, por ky i fundit arriti të jetë pjesë e ekipit. Teuta në të dytën luajti me dy sulmues dhe ai ishte i rëndësishëm para mbrojtjes.
Në të dytën und të shënonim më shumë sepse kishim 4-5 raste përballë portierit. Nuk kishte spektakël dhe kishte probleme, por dëshira e madhe e futbollistëve na dha tre pikët dhe ata meritojnë gjithë meritat sot sepse ishim të kufizuar në stol.
Asani, Junior dhe Çinari kanë punuar fort në mbrojtje dhe kur shkon para portës lodhja ta largon qetësinë. Ata janë lojtarë që duhet ta zgjidhnin, por na lumturon kjo fitore.
Topi i shqelmuar? Nganjëherë edhe ne e kalojmë cakun sepse kemi presion dhe ajo ishte një shfryrje për mënyrën sesi po luanim në pjesën e parë dhe pak për diçka tjetër, që nuk po e them. Ndeshja me Vllazninë është shumë e rëndësishme. Nuk besoj se do e kemi të lehtë në Ballsh, por të shohim Vllazninë dhe të mendojmë për ndeshjen e fundit”, u shpreh Daja. /abcnews.al