Vllaznia u përball me Kastriotin në stadiumin “Loro Boriçi” dhe pas ndeshjes trajneri Thomas Brdaric foli si zakonisht në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Gjermani fillimisht deklaroi: “E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë. E dinim stilin e lojës së Kastriotit, kemi luajtur në janar. Shtymë përpara dhe e morëm fitoren”.
“Partizani? Për futbollin shqiptar është diçka madhështore ky sezon. Të gjithë spektatorët do jenë të kënaqur me këtë ecuri dhe më vjen mirë që po luftojmë për trofe. Shpresojmë ta marrim një në fund”, tha në vazhdim Brdaric.
“Kemi folur me lojtarët ditët e fundit dhe u kemi thënë se nuk janë vetëm 11, janë shumë që mund të vendosin ndeshjen. Të gjithë duhet të kapin momentin, por duan besim. Kemi treguar se jemi ekip, që kemi mësuar nga ajo që kemi bërë në të shkuarën dhe kjo është plus për ne. Ata që erdhën nga stoli bënë ndryshimin”.
“Fillimisht le ta shijojmë këtë fitore. Na duheshin tre pikët dhe i morëm. Le të mbledhim forcat, kemi ndeshjen tjetër pranë. Le të luftojmë fort në këto tre finale që na kanë mbetur”. /abcnews.al



