Presidenti amerikan, Donald Trump nuk përjashton mundësinë e largimit nga detyra të sekretarit të mbrojtjes, James Mattis. Ai thotë se di më shumë se shefi i Pentagoni lidhur me aleancën ushtarake, NATO. Pavarësisht kësaj, Trump thotë se ka mardhënie të mirë me Mattis.
Presidenti amerikan, Donald Trump tha në një intervistë se nuk ishte i sigurtë sesa gjatë do të qëndrojë në administratën e tij, Sekretari i Mbrojtjes James Mattis. “Nuk e di”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë kur u pyet nëse shefi i Pentagonit mund të largohet nga detyra në një intervistë për CBS. “Ai nuk më ka treguar për këtë”, nënvizoi Trump, i cili sqaroi se ka mbajtur një mardhënie shumë të mirë me Mattis. Megjithatë nuk përjashtoi mundësinë e largimit të Sekretarit të Mbrojtjes.
“Mendoj se ai është një lloj demokrati, nëse dëshironi të vërtetën”, tha Trump. “Por Gjenerali Mattis është njeri i mirë. Ne shkojmë shumë mirë bashkë. Ai edhe mund të shkarkohet. Them se në një pikë të gjithë largohen. Të gjithë. Njerzit largohen. Ky është Uashingtoni”, shtoi lideri amerikan. Më tej duke folur për aleancën ushtarake NATO, Trump thotë se ai di më shumë sesa Mattis për këtë. Menjëherë pas intervistës, një zëdhënës i Pentagonit doli në deklaratë në kundërpërgjigje të fjalëve të presidentit amerikan. “Sekretari Mattis është i fokusuar në punën e tij – për të siguruar që ushtria e Shteteve të Bashkuara të mbetet forca më e madhe në planet”, lexohet në deklaratë. Ndërkohë, mediat amerikane raportuan në qershor se Mattis mund të jepte dorëheqjen për shkak të mosmarrëveshjeve me Trump./abcnews.al