Vijojnë aksidentet tragjike me emigrantë. Pas atij në Greqi, ku humbën jetën 11 persona, edhe në Turqi u vranë 22 emigrantë si pasojë e një aksidenti rrugor. Mes viktimave ka edhe fëmijë.
Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur në Turqi. Të paktën 22 persona, mes tyre dhe fëmijë, kanë humbur jetën në një aksident rrugor që ndodhi në provincën Smirne, që gjendet në perëndim të Turqisë. Lajmi është raportuar nga agjencia shtetërore e lajmeve Anadollu. Emigrantët ishin vendosur në brendësi të kamionit, I cili ishte nisur nga Ajdin për në Smirne kur është përmbysur për shkaqe ende të panjohura në afërsi të qytetit Izmir.
Ambulanca të shumta mbërritën menjëherë në vendngjarje. Kombësia e emigrantëve të paligjshëm ende nuk dihet, por dyshohet të jenë nga Siria. Në këtë aksident tragjik, mbetën të plagosur dhe 11 persona të tjerë. Video të publikuara në rrjetet sociale, tregojnë një kamion të përmbysur në një lum, plotësisht të shkatërruar. Gjithashtu shikohen edhe disa nga sendet personale të emigrantëve që janë përhapur në vendngjarje.
Ndërkohë, mëngjesin e së shtunës 11 emigrantë humbën jetën pasi kamioni me të cilin udhëtonin ilegalisht mori flake si pasojë e përplasjes së fortë. Shoferi i kamionit, i cili e ka braktisur mjetin menjëherë pas përplasjes mbeti i plagosur. Ngjarja tragjike ndodhi në Kavalla të Greqisë rreth orës 5 të mëngjesit së të shtunës. Automjeti me refugjatët në bord po shkonte në Selanik. /abcnews.al