Interi dominoi Serie A këtë sezon dhe riktheu titullin kampion pas 11 vitesh në Milanon zikaltër. Ekipi i Antonio Contes ka zhvilluar një fazë të dytë në nivelet e perfeksionit, ndërsa nesër do të përballet në Torino ndaj Juventusit vendas.
Tifozët duan rezultat pozitiv për të lënë bardhezinjtë pa Champions League. Në prononcimin e dhënë për Inter TV, trajneri i kampionëve flet rreth arritjes së madhe të djemve të tij, të cilët do të zbresin në fushë për suksesin e radhës (e shtunë, 18:00).
“Gjatë një sezoni ka ndeshje që të vendosin përballë më të fortëve dhe të tregojnë se në çfarë niveli je. Të fitosh kundër skuadrës që ka dominuar Serie A për nëntë vite radhazi, do të thotë shumë në aspektin e vetëvlerësimit dhe vetëdijes në potencialin tonë.
Ky është shkaku pse fitimi i titullit ka qenë shumë i rëndësishëm për ne. Jemi treguar shumë të aftë, kemi vijuar rrugëtimin tonë me fitore. Sinqerisht që nuk e prisja të dominonim kështu siç kemi bërë, mendoja se gara për titullin do të ishte më e ekuilibruar.
Sigurisht që ekuilibri ekziston, por brenda skuadrës time. Kemi realizuar diçka të papritur, sidomos për mënyrën se si ia dolëm të triumfojmë”, thekson Conte, i cili komenton edhe duelin e nesërm. “Çdo ndeshje vlen tre pikë, kjo është e vetmja gjë për të cilën duhet të mendojmë.
Shkalla e vështirësisë shtohet kur ndeshesh me skuadra si Juventusi, Milani, Napoli dhe Atalanta. Gjithsesi, kampionati fitohet në 38 ndeshje, të gjitha kanë të njëjtën vlerë. Në këtë kampionat ne kemi bërë gjëra të jashtëzakonshme, të gjithë kanë merita“, theksoi Conte. /abcnews.al

