Nga Xhensila Kodra
Dy makineritë që do të prodhonin monedhën virtuale Bitcoin e që u gjetën në katin e dytë të godinës ku u vra Mehmet Qema, ishin të modifikuara.
“ABC” mëson se nga verifikimet që kanë kryer uniformat blu, rezultoi se modifikimi i këtyre makinerive kishte nisur një muaj më parë. Ato nuk ishin vënë ende në punë për të prodhuar kriptomonedhë, por vetëm ishin testuar.
Mosvënia në punë e tyre u faktua edhe nga specialistë të OSHEE-së, të cilët nuk zbuluan lidhje energjie të jashtëligjshme.
Po në këtë godinë, oficerë të krimit ekonomiko financiarë zbuluan edhe një dhomë të vogël.
Kjo përdorej si dhomë servisi për të modifikuar makineritë, pasi brenda saj u gjetën vegla dhe pajisje të ndryshme.
Ambienti ishte marrë me qira nga autori i vrasjes së Qemës, Marius Dema. Vërveç akuzës së vrasjes dhe armëmbatjes pa leje, 28 vjeçari Dema akuzohet edhe për fshehje të të ardhurave.
Policia dyshon se viktima, Mehmet Qema kishte dijeni se si punohej me makineritë që prodhojnë kriptomonedha, pasi pjesën më të madhe të kohës ai ka jetuar në Britani, dhe kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer në vendin tonë.
Gjatë dy ditëve të fundit, me kërkesë të prokurorisë, policia ka ushtruar kontrolle në disa ambiente në ndryshme në lagjen “5 Maji”, ku mendohej se mund të përdoreshin për aktivitete të jashtëligjshme, për prodhim kriptomonedhash.
Të shtunën, 28 vjeçari Marius Dema do të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Për të prokuroria ka kërkuar caktimin e arrestit në burg. Në gjykatë do të dalin edhe 4 persona të tjerë, shokë të viktimës e autorit.
Ata ishin dëshmitarë okularë në ngjarje dhe akuzohen për moskallëzim krimi.
/abcnews.al/