Historia e Babales, e nisur si një audiopërgjim që implikonte vëllain e ministrit të Brendshëm, prodhoi një të ngjashëm javën politike që lamë pas, duke bërë lëmsh dy krahët e politikës, vetë prokurorinë por edhe median e opinionin publik. Këtë zhvillim me gjithë dritëhijet e veta sjell këtë javë Mimoza Kociu në Politika në ABC News.
Ky personazh nga Vlora i njohur me emrin Babalja, që pretendon se ka regjistruar një telefonatë me vëllain e ministrit të Brendshëm, për trafik droge, po u shpenzon kohë e energji të pamata Kryeministrit të vendit, kreut të opozitës e organit të akuzës. E si të mos mjaftonte, ky personazhi tjetër nga Fieri, mik i Babales, Alfred Alizoti, shfaqet me dy variante të ndryshme, herë si aktori i kontraktuar nga Babale per llogari të opozitës, për të qenë zëri i vëllait të ministrit të Brendshëm, e një herë si i joshur vetë nga mazhoranca, duke bërë kështu lëmsh të dy krahët e politikës, vetë prokurorinë, por edhe median e opinionin publik.
Lulzim Basha e Ervin Salianji ishin dy deputetët e opozitës, që u thirrën për t’u marrë në pyetje në prokurori, e ndërsa fokusi publik mbetej tek ajo ngjarje, krimi vijoi të spikaste me goditje, me një polici që u shfaq e coroditur, teksa krerët politikë flisnin për suksese. Madje u desh një gjest i papritur i Kryeministrit, mbyllja e pikave të basteve, për ta zbutur këtë panoramë, por edhe pranuar, se krimi ka nevojë për një paketë të re ligjore për t’u luftuar.
Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?
Pas paralajmërimit të parë, të një akti të prokurorisë nga një studio TV, që u provua 3 ditë më vonë, Kryeministri e mbylli atë fundjavë me një paralajmërim të dytë, që ia bënte Bashës përmes tëitterit, se të hënën do kishte të reja për të publikuar.
Të hënën, e reja e parë e ditës, ishte një sasi e vogël tritoli, e hedhur dhe ende e pazbardhur nga kush, në oborrin e banesës së të afërmve të Xhisiela Malokut, vajzës që denoncoi në polici dhunën e djalit të një deputeti të zonës, e më pas u tërhoq publikisht nga varianti i parë.
Pak më vonë, Xhisiela artikuloi një variant të ngjashëm, e më direkt kundër PD-së dhe opozitës. Kjo lloj qasje, i heq një barrë publike, për pasojë mund të fokusohet tek çështja “Babale”. I mëshoi fort variantit të vetëdenoncimit të Alfred Alizotit, duke akuzuar opozitën.
Në fakt në analizën e ardhur nga Britania e Madhe, tashmë e dalë në media, nuk ka një konfirmim kujt i përkiste zëri që komunikonte me Babalen. Në dokumentin e përkthyer nga ministria e Drejtësisë, thuhet se cilësia e zërit të asaj telefonate, është e dobët dhe pamundëson një konkludim .
Por Kryeministri duket i bindur edhe nga vetëdenoncimi i Alizotit, ndërsa e vetmja gjë e re në qëndrimin e njohur se audiopërgjimi ishte fals, ishte kjo frazë misterioze
“Monstruoze është shpifja ndaj ministrit, u sajua në dy skuta të shtetit, me të cilat do të presim me durim që të hedhë dritë hetimi i mëtejshëm i Prokurorisë”.
Përballë tij, Lulzim Basha nuk kishte dhënë një reagim zanor për vetëdenoncimin e Alfred Alizotit, që rrëzonte si fals audiopërgjimin e Babales dhe implikonte deputetin e tij Ervin Salianji, Rama që e kishte ndjekur me përgjigje e batuta në rrjetet sociale, e nisi javën duke e akuzuar se i kishte kërkuar pushtet në tavolinë, gjatë marrëveshjes së 18 Majit të vitit të kaluar.
Mediat siguruan dëshminë e Alfred Alizotit, bazuar në të cilën Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për arrest me burg për të dhe Babalen, për kallëzim të rremë, e me të njëjtën akuzë por paraqitje me detyrim për gazetarin që kishte bashkëpunuar me Babalen, për investigimin e tij.
“Sipas gjykatës, rreth muajve tetor-nëntor 2017 Babalja i ka thënë se donte t’i bënte një regjistrim shtetasit Agron Xhafaj, por nuk po i gjendet dotë anën sepse ai nuk e afronte. Babalja i kishte thënë gjithashtu të bënin një regjistrim ku Alizoti të hiqej sikur ishte Agron Xhafaj dhe si shpërblim do të merrnin 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji. Alizoti ka deklaruar më tek se biseda është regjistruar tek një lokal në Vlorë, përballë me atë të Agron Xhafatj dhe zëri në regjistrim ishte i tij, por nuk i kishte marrë paratë e premtuara. Sipas gjykatës, Albert Veliu, Babalja, dyshohet se ka pasur motiv përfitimin financiar dhe përfitimin e statusit të azilantit për vete dhe familjen. Përfitimi financiar ka qenë motiv i dukshëm, sipas gjykatës, edhe për Fredi Alizotin. Ndërsa për gazetarin Olldashi, gjykata ngre dyshime se motivi i tij ka qenë denigrimi i figurës së Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj”.
Në këtë tejngopje të opinionit, me retorikë, akuza e dokumente, zëri i Bashës tingëlloi i dobët:
“Regjistrimi është i vërtetë dhe zëri është i Agron Xhafajt”.
Si zakonisht ryeministri e ironizoi nga Tëitteri, por pak orë më vonë, befasoi publikimi i një videoje të dytë. Deputeti Ervin Salianji i përmendur në përgjimet e prokurorisë ndaj Babales e Alizotit si personi që kishte premtuar 200 mijë euro, publikoi në emisionin më të ndjekur TV të mbrëmjes, Opinion, një videoregjistrim të Alfred Alizotit. Salianji nuk tha se kush e kishte realizuar e kush ia kishte dhënë, por në videoregjistrimin pak minutësh, Alizoti shfaqej tek rrëfente në mënyrë të çlirët, pa e ditur se personi që kishte përballë po e regjistronte, tek rrëfente një tjetër variant të historisë, e implikonte drejtorin e policisë së shtetit dhe një Taulant, që Salianji e lexoi si Taulant Ballën, si palët që ishin investuar për Alizotit.
Ishte radha e Lulzim Bashës të fliste për komplot, por sipas tij shtetëror, për të mbrojtur Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm.
Topi është në fushën e prokurorisë, që duhet të zbardhë këtë histori me dy Babale, e pozicionin e vëllait të ministrit të Brendshëm, e nëse do thërrasë edhe eksponentë të mazhorancës, njëlloj siç bëri me ata të opozitës. /abcnews.al