Barcelona, Juventus dhe Real Madrid nuk kanë hequr dorë ende nga Superliga dhe përmes deklaratave të tyre zyrtare kanë bërë të qartë se nuk do e bëjnë këtë dhe do tentojnë ta krijojnë këtë kompeticion, duke u kthyer sërish me modifikimet e nevojshme.
Nëntë klubet e tjerë, të cilët nga presioni i madh hoqën dorë nga Superliga, firmosën një marrëveshje me UEFA-n, që përfshinte penalitete të mëdha në rast përfshirje në projektin e Superligës, duke përjashtuar veten nga dënime të mundshme në sezonin e ardhshëm në kompeticionet kombëtare dhe europiane.
Këtë nuk e bënë tre klubet e lartpërmendura dhe nga ajo që UEFA njofton, kanë nisur hetimet në lidhje me një shkelje të mundshme të Barcelonës, Real Madridit dhe Juventusit për pjesëmarrjen në Superligë. Lajmin e bën të ditur vetë UEFA përmes një deklarate të shkurtër.
“Në përputhje me nenin 31 (4) të Rregullores Disiplinore të UEFA-s, Inspektorët e Etikës dhe Disiplinës në UEFA janë emëruar sot për të kryer një hetim disiplinor në lidhje me ndonjë shkelje të mundshme të kornizës ligjore të UEFA-s nga Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi në lidhje me të ashtuquajturin projekt i Superligës”, shkroi UEFA. /abcnews.al