Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor me kërkesë për shkarkim nga detyra për tre gjyqtarët e Durrësit, Klinton Spahiu, Petrit Ceno dhe Petraq Dhimitri, të dënuar nga ish-Krimet e Rënda për korrupsion pasiv.
Ceno, Spahiu dhe Dhimitri u bënë të njohur rreth shtatë vite më parë, pasi së bashku shkuan në Spanjë në tetor 2014 në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadiku, pronari i një kompleksi turistik në Durrës, udhëtim i paguar prej tij.
Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”. Biznesmeni Sadiku ishte palë në një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Ceno dhe Petraq Dhimitri.
Metani i ka kërkuar KLGJ-së me kërkesë edhe për shkarkimin e gjyqtares së Apelit Tiranë, Evgjeni Sinoymeri, e cila pak ditë me parë u shkarkua nga shkalla e parë e vettingut. Më herët me kërkesë të ILD-së u shkarkuan gjyqtari i Korçës Markeljan Kuqo, gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha dhe Prokurori i Krujës Bujar Memia./mv.abcnews.al