Fokusi i sistemit shëndetësor tek pandemia ka patur një impakt negativ tek trajtimi i pacientëve me sëmundje të tjera. Arben Pilaca, shef i Departamentit të Mjekësisë Interne në “Spitalin Hygeia” vuri theksin tek fakti që për shkak të Covid-19, ka patur një neglizhencë tek kontrollet e tjera dhe për pasojë pacientët janë paraqitur në spitale në stade më të avancuara.
“Janë shtuar raste të rënda për shkak të covidizimit të jetës në përgjithësi dhe shoqëria shqiptare nuk u përjashtua nga ky rregull. Shumë sëmundje kronike u neglizhuan dhe u paraqitën në spitale në stade të avancuara. Spitalet u futën në shërbim të covid-19 dhe prioriteti kaloi tek përballimi i pandemisë, në një kohë që takimet dhe prioritetet periodike për sëmundjet e tjera sikur u shtynë.”, tha mjeku.
Për këtë arsye, “Spitali Hygeia” ka ardhur me një risi për duke iu ofruar pacientëve mundësi për të kryer vizita me mjekë specialistë dhe pasditeve. Mjeku dha më shumë detaje në “Abc-ja e mëngjesit”, ku tregoi se kjo mundësi vjen në një kohë kur duhet rikthyer sërish vëmendja tek kontrollet rutinë.
“Duke u nisur nga këta faktorë duam që të japim një mundësi njerëzve t’i rikthehen kontrolleve, check up-eve, vizitave. Një pjesë e mirë e njerëzve nuk kanë nevojë vetëm për vizita dhe ekzaminime por dhe për dëgjim. Vizita nuk nënkupton vetëm prekje dhe rekomandim, duhet komunikim. Pasditja jep një mundësi më të gjatë që njerëzit të flasin për problemet dhe hallet sidomos pas Covid.
Është një mundësi për t’ju dhënë njerëzve një arsye të rutinës së përditshme. Ndoshta nuk kanë mundësi të vijnë paradite. Duket sikur për herë të parë Hygeia shërben pasdite, nuk është kështu. Spitali që ne fillesat e veta ka funksionuar 24/7 me të gjithë specialitetet por qëllimi jonë të përforcojmë këto shërbime.”, shpjegoi mjeku. /abcnews.al

