Deklarimi i pronarëve përfitues, pritet të shtyhet afati i vlefshmërisë së dokumenteve të të huajve

schedule07:47 - 12 Maj, 2021

schedule 07:47 - 12 Maj, 2021

Pas shtyrjes së afatit të për të deklarimit të regjistrit të pronarëve përfitues për në 30 qershor, nga 31 marsi, që është afati fillestar i përcaktuar me ligj, qeveria pritet që të bëjë të tjera ndryshime në Vendimin nr. 1088, date 24.12.2020 “Për përcaktimin e mënyrës dhe procedurave të regjistrimit dhe publikimit të të dhënave për pronarët përfitues, si dhe të njoftimit nga autoritetet shtetërore kompetente dhe nga subjektet e detyruara”.

Sipas ndryshimeve që pritet të miratohen në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, parashikohet zgjatja e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve me origjinë të huaj deri në 90 ditë (nga 1 muaj që parashikon ligji aktual).

Sipas draftit paraprak që pritet të miratohet në qeveri:

Në pikën 1, të kreut III, “Dokumentacioni dhe forma e kërkuar”, bëhen ndryshimet si vijon:

Përmbajtja e shkronjës “c”, ndryshohet si vijon:
Dokumentacioni i përcaktuar në nënndarjet “i” dhe “iii” të shkronjës “a” të kësaj pike, duhet të jetë hartuar brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e regjistrimit fillestar të subjekteve raportuese në regjistrat përkatës.
Ky ndryshim erdhi pas ankesave të Shoqatave të biznesit, sipas të cilave është e vështirë që një subjekt i huaj të pajiset me dokumentacionin e nevojshëm në vendin e origjinës, ta apostilojë, përkthejë zyrtarisht në gjuhën shqipe dhe ta noterizojë në një afat kaq të shkurtër.

Në një tjetër ndryshim sqarohet se si do të bëhet regjistrimi i pronarëve përfitues për subjektet me status të pezulluar. Sipas draftit paraprak: Pika 9, e kreut II “Procedurat e aplikimit për regjistrimin e të dhënave në regjistrin e pronarëve përfitues”, pas fjalisë “Procedura për regjistrimin nga subjektet raportuese ekzistuese të të dhënave për pronarët e tyre përfitues realizohet sipas parashikimeve të këtij kreu.”, ndryshohet si vijon:

“9.Procedura e regjistrimit fillestar nga subjektet raportuese ekzistuese të të dhënave për pronarët e tyre përfitues realizohet sipas parashikimeve të këtij kreu dhe sipas pikës 3, të nenit 15, të ligjit për regjistrin e pronarëve përfitues. Subjektet raportuese ekzistuese të cilët rezultojnë me status të pezulluar në regjistrin tregtar, regjistrojnë pronarin përfitues në regjistrin e pronarit përfitues, përpara kërkesës për ndryshimin e statusit të tyre në regjistrin tregtar. Ndryshimi i statusit të subjekteve raportuese ekzistuese në regjistrin tregtar, kryhet pas verifikimit se është regjistruar pronari përfitues i tyre, në Regjistrin e Pronarëve Përfitues.”

Ligji për “Regjistrimin e pronarëve përfitues”, i cili ishte një kërkesë e Mekanizmit Europian Moneyval me qëllim luftën kundër pastrimit të parave, është miratuar në gusht 2020, ndërsa udhëzimi që rregullon funksionimin e tij, në dhjetor 2020.

Pronar përfitues, sipas ligjit, është individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit, përmes pronësisë direkte ose indirekte të 25% ose më tepër, të: aksioneve/kuotave; pjesëmarrjes në kapitalin e subjektit; të drejtave të votimit; ose përfiton nga transaksionet e kryera nga subjekti në emër të tij.

Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) bën të ditur se në total janë rreth 55 000 subjekte (subjekte tregtare dhe OJF), të cilët kanë detyrimin e regjistrimit të pronarit përfitues. Gjoba e parashikuar në rast të mos aplikimit është 500 mijë lekë (rreth 4 mijë euro).

Në 25 mars, Këshilli i Ministrave miratoi aktin normativ për shtyrjen e afatit të deklarimit të regjistrit të pronarëve përfitues. Afati i ri është 30 qershori, nga 31 marsi që parashikohej në variantin fillestar të ligjit. Shtyrja e afatit erdhi pas kërkesave të shoqatave të biznesit, pasi ky proces po haste vështirësi të shumta, që nga funksionimi i platformës deri te paqartësitë teknike për pronarin përfitues të OJF-së, kohën e nevojshme për sigurimin e dokumentacionit për investitorët e huaj, identifikimin e kompanive të huaja që janë listuar në bursa të ndryshme, por dhe kompani që pronari përfitues nuk është një person fizik, por një shtet i huaj./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!