Kandidati i Vetëvendosjes në qarkun e Tiranës Boiken Abazi i cili nuk arriti që të fitonte mandatin e deputetit në 25 Prill vijon me denoncimet që sipas tij vërtetojnë se procesi është manipuluar. Pas dy videove që publikoi, Abazi kërcënon se ka edhe të tjera, por kërkon reagimin e shtetit, ndërsa ka edhe një “thumb” për PD-në.
“Sa video duhet ende të publikojë Lëvizja VETËVENDOSJE! për të kuptuar çfarë makinerie e deformimit të votës ka qenë në lëvizje në këto zgjedhje?
Dy të reja i nxorrëm sot, nëse nuk mjaftojnë, nxjerrim edhe tjetër. Por si shpjegohet që partitë “e mëdha” nuk po i nxjerrin këto video? Nga KQZ i kemi marrë ne pamjet filmike zyrtare. Të njëjtat pamje filmike i kanë edhe ata.
Si shpjegohet që nuk po veprojnë organet e shtetit!? Kush ka më gojë të thotë se këto kanë qenë zgjedhje të lira e të ndershme!? Kanë vjedhur para, gjatë dhe pas fushatës si të babëzitur! Vjedhin zgjedhjet që pastaj të vjedhin një popull të tërë” shkruan Abazi.
Por cfarë tregon video që publikoi Abazi?
Në pamjet e kamerës 360 gradë të vendosur në një nga KZAZ-të shihet sesi anëtarë të grupit numërues në KZAZ Nr. 79 vendosin herë pas here shenja në fletët e votimit gjatë procesit të numërimit duke i nxjerrë të pavlefshme sipas Abazit. / Abcnews.al