Prokuroria shqiptare ka regjistruar procedim penal në ngarkim të biznesmenit turk Faruk Fatih Ozer, i cili dyshohet se fshihet në vendin tonë prej 18 prillit, ndërsa është zbuluar se ka lëvizur në disa zona në Tiranë, por ende nuk ka rënë në duart e efektivëve, që kanë qenë gjithmonë një hap pas.
Por kush është ai dhe përse kërkohet?
Faruk Fatih Ozer u arratis nga Turqia duke mbyllur shërbimet e kompanisë së tij “Thodex”, në të cilën kishin investuar më shumë se 350 mijë persona, pjesa më e madhe e tyre, turq. Dëmi i shkaktuar ndaj tyre është 2 miliardë dollarë, ndërsa një pjesë të parave ai i mban me vete në një server të posaçëm në formë kriptomonedhash.
Autoritetet turke dhe shqiptare janë duke bashkëpunuar për të shkuar në gjurmët e bosit të kriptomonedhës turke “Thodex”që dyshohet se fshihet prej dy javësh në Shqipëri bashkë me serverin, brenda të cilit mbahen 108 milionë dollarë në kriptomonedha.
Mediat turke kanë raportuar vazhdimisht në lidhje me ecurinë e kërkimeve për kapjen e tij si edhe në lidhje me personat që dyshohet se e kanë ndihmuar në Shqipëri. Pavarësisht se biznesmeni prej afro një muaji ndodhet në Shqipëri më shumë mbi kërkimet për arrestimin e tij kanë informuar mediat turke se ato shqiptare.
“Hurriyet” raportoi dje se policia shqiptare kishte arrestuar Altjan Canajn dhe Edevaldo Haxhiajn me akuzën e dhënies së ndihmës ndaj të arratisurit turk. Canaj është shprehur para policëve se nuk e dinte fare se kush ishte Faruk Fatih Ozer dhe qëllimin e ardhjes së tij në Shqipëri./ Abcnews.al