Ushtarakët sërish kundër Macron: Ekziston rreziku i një luftë civile

schedule15:53 - 11 Maj, 2021

schedule 15:53 - 11 Maj, 2021

Javët e fundit, e përjavshmja ultrakonservatore “Valërs” në Francë, shkaktoi tensione me publikimin e një apeli për mbrojtjen e Francës dhe atdheut përballë rrezikut të islamizimit. Gjeneralë në pension dhe figura të tjera të njohura të ambienteve ushtarake folën për domosdoshmërinë e veprimit për mbijetesën e vendit.

Ata kërkuan dhe mbështetjen e qytetarëve francezë. Më pas doza u shtua dhe me apelin më të fundit më të njëjtat tone, të publikuar të dielën e kaluar dhe të firmosur këtë herë nga ushtarakë ende aktivë por anonimë.

Objektiv i kësaj iniciative mbetet gjithnjë presidenti Emanuel Macron, fajtor sipas tyre për bashkëjetesën me armikun.

Në letër thuhet ndër të tjera, se ushtarakët por dhe pjesa më e madhe e francezëve janë të shokuar nga pavendosmëria dhe heshtja e tij kriminale. Ata përsërisin se nuk ka kohë për të humbur, pasi në rast të kundërt do të jetë lufta civile ajo që do i japë fund kaosit të krijuar, duke shkaktuar mijëra të vrarë. Dhe përgjegjësi për këtë do të mbajë Macron.

Për ministren franceze të mbrojtjes ky është një makinacion politike dhe çdo gjë që përmban i referohet ekstremit të djathtë. Sipas saj objektivi është përcarja e vendit në një moment kur të gjithë duhet të jenë më të bashkuar se asnjëherë. Më tej ajo shtoi se nëse do të ishin kaq kurajozë sa thonë, nuk ka pse të qëndrojnë anonimë

Sipas disa burimeve gazetareske në Francë, disa prej atyre që kanë firmosur apelin e parë kanë lidhje me lëvizje të ekstremit të djathtë dhe anti emigracion. Por nga ana tjetër rritet numri  francezëve sipas të cilëve partia e Marin Lë Pen nuk është më një rrezik për demokracinë. Dhe për më tepër që ajo do të ishte një presidente e mirë për vendin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!