“Na ndihmon kalendari, do jemi kampionë”, flet rekordmeni Todorovski

schedule09:38 - 9 Maj, 2021

schedule 09:38 - 9 Maj, 2021

Teuta fitoi me “poker” 4-0 dje ndaj Bylisit dhe bëri një hap të madh në garën për titullin kampion me tre kundërshtarët e saj më poshtë në tabelë, duke marrë kryesimin dhe pasur 100% në dorë fatet e sezonit.

Në Maqedoni gëzojnë për një nga lojtarët më të mirë të durrsakëve, Blagoja Todorovski. Mbrojtësi i djathtë cilësohet si një koleksionues titujsh nga Sport Media, e cila i ka marrë edhe një prononcim të shkurtër 35-vjeçarit.

 

“Karriera ime është e gjatë dhe kam fituar shumë trofe. Tani është radha të gëzoj me Teutën. Tani gjërat janë tërësisht në dorën tonë. Kemi një pikë më shumë se Partizani dhe duket një kalendar i mirë.

 

Katër javët e fundit duken më të lehta për ne dhe nëse gjithçka shkon mirë dhe luajmë si më parë, Teuta do jetë kampione e Shqipërisë. Sa për mua, jam ende në formë të mirë. Jam i lumtur këtu në Durrës dhe kam kënaqësi të jem pjesë e Teutës. Shpresoj të jemi kampionët e rinj të Shqipërisë”, u shpreh Todorovski.

Todorovski është në rrugën për t’u shpallur kampion me klubin e katërt në karrierën e tij, pasi e ka bërë këtë më parë me Shkëndijën, Renovën dhe Rabotnickin. Vitin e shkuar ai fitoi Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë me Teutën. /abcnews.al