Shpëtim Duro, trajneri i Laçit, pas fitores që skuadra e tij arriti në Fier kundër Apolonisë, foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. “Patëm kontrollin e lojës nga fillimi në fund, këto janë ndeshje të vështira. Apolonia ka lojtarë të mirë, që nuk e ka presionin tonë.
Nëse gabonim nuk kishin vlerë ndeshjet në vazhdim. Nëse e zgjidhnim më shpejt do e kishim më të lehtë. Gjithsesi janë ndeshje të vështirë, Apolonia mund të na godiste në 2-3 momente. E rëndësishme është që këto ndeshje të fitohen”.
“E kam thënë edhe më parë, që e kemi zgjidhur shpesh me mesfushorë. Kemi dy sulmues, Harmon dhe Xhixha që kanë shënuar. Harmon e ndihmon shumë skuadrën, por nuk është shënues i mirëfilltë. Xhixha nuk është në formën e tij. E rëndësishme është që luajtëm mirë në mesfushë, kontrolluam lojën, pa mohuar meritat e lojtarëve të tjerë”.
“Ne nuk e pritëm Apoloninë, ata na pritën ne. U munduan të shfrytëzojnë topat e gjatë drejt Gjatës. Një barazim do të ishte skandaloz në këtë moment të kampionatit. Nëse shikojmë duelet me të fortët, kemi qenë superiorë. Më të vështira janë këto ndeshje kur nuk ke shënues.
Me skuadrat e forta ndryshon fizionomia e lojës. Pikët e lëna me Apoloninë dhe Kastriotin na kanë penalizuar, mund të ishim të parët me diferencë. Gjithsesi kështu është skuadra. Me Nwabuezen e vjetshëm do ishim shumë përpara, pasi ai i zgjidh vetëm ato lloj ndeshjes”.
“Tifoz me Skënderbeun? Të mos jemi hipokritë. Edhe ata e kanë pasur një sy te ne. Kishim synimin të fitonim ne, nëse nuk ndodhte nuk kishte shumë vlerë. Profesionalizmi kështu është, ndoshta edhe nuk e shikoj. Mos më provoko… Kam luajtur 5 ndeshje me Partizanin dhe kam dhënë maksimumin”. /abcnews.al