Mjekja kirurge, Lindita Shosha e ftuar mbrëmjen e së mërkurës në “E ardhmja është vajzë” rrëfeu rrugëtimin e saj në fushën e mjekësisë. Një ndër rubrikat më emocionuese është dhe “Suksesi i jetës”, ku Shosha tregoi se ndihej e realizuar me profesionin që ka zgjedhur pasi ka arritur të plotësojë ëndrrën e babait të saj dhe të vendosë disa gurë të vlefshëm në këtë fushë.
“Ishte një dëshirë e tim eti por më pas kur futesh brenda labirinteve të mjekësisë e kupton se çfarë magjie është. Të merr me vete, të thith dhe të fut në të gjithë ingranazhet e saj dhe është shumë e vështirë të dalësh. Nëse do të bëhet një mjek duhet ta dashurosh profesionin, unë e dua jashtëzakonisht, është gjithçka që unë kam. Dashuria ime është profesioni im.”, u shpreh mjekja.
Më tej, doktoresha në “Spitalin Amerikan” u ndal dhe tek rëndësia e marrëdhënies së mjekut me pacientin por gjithashtu me kolegët, pasi siç tha ajo duhet bashkëpunim pasi “në mjekësi nuk mundet një person i vetëm të zgjidhë gjithçka”.
“Marrëdhënia me pacientin është baza e një trinomi shumë të rëndësishëm pa të cilën nuk mund të funksionojë sistemi shëndetësor. Është qeveria, pacienti dhe mjeku dhe nëse njëra nga pjesët çalon kemi shumë probleme. Çfarë i ngelet mjekut në dorë, nëse nuk rregullon dot diçka nga politikat shëndetësore, mund të rregullojë së paku marrëdhënien me pacientin.
Është baza e suksesit, nëse nuk krijohet besimi tek mjeku është e vështirë që ta trajtosh një pacient, duhet të ketë sinqeritet dhe vërtetësi, humanizëm, ndjeshmëri. Është e domosdoshme një marrëdhënie e sinqertë me shumë dashuri brenda sepse është shumë e vështirë në një kalvar të gjatë të trajtimit të ruhet ky besim dhe pacienti të mbahet fort tek duart e atij që ka besuar në fillim.”, shtoi mjekja.
Për kirurgen e njohur suksesi më i madh në mjekësi është realizimi i ëndrrës së të atit për t’u bërë një mjeke. “Sa e mirë jam pse sa kam arritur të kap atë majën, pak ka rëndësi për mua për sa kohë që pacientët e mi më besojnë marr shumë satisfaksion nga puna që bëj, mesazhe falenderimi pafund dhe zyra qëndron e mbushur me lule.
Biles e fundit ishte një paciente e imja nga Korca që dy fëmijët kishin bërë një lule dhe kishin shkruar faleminderit shumë që na shërove mamin. Për të arritur aty ku mendoj se duhet të jetë një mjek shumë i mirë nuk është e lehtë, Shqipëria nuk të bën dot kaq të mirë, kemi rendur rrugëve të botës. I kemi lënë fëmijët me të afërmit dhe kemi investuar në zanatin e mjekësisë.”, u shpreh mjekja. /abcnews.al