Vllaznia përballet me Kukësin nesër në “Elbasan Arena” dhe para ndeshjes ka dalë para mediave trajneri Thomas Brdaric. Ai ka folur për duelin me verilindorët dhe beson se skuadra e tij do ta kalojë me sukses.
“Jemi optimistë, pasi gëzojmë një formë të mirë sportive. Kundër Kukësit është një ndeshje ndryshe nga ajo me Teutën. Do luajmë me pasion dhe jemi të kënaqur që ndeshja luhet në një fushë të mira si ajo e Elbasanit”.
“Nuk është koha të merremi me çfarë ka ndodhur në të shkuarën. Stili jonë i lojës do të jetë i njëjtë edhe me Kukësin. Na duhet fati për pjesën e finalizimit. Do bëjmë gjithçka për të shënuar. Kundër Kukësit do të bëjmë maksimumin tonë”.
“E njohim Kukësin, kemi luajtur me të edhe më parë dhe i kemi studiuar. Kanë shumë lojtarë të mirë, me një trajner me eksperiencë të madhe. Janë në mes të tabelës, por nuk rrezikojnë rënien. Ata janë të fortë dhe kanë cilësi. Duhet të luajmë fort, të tentojmë të shënojmë sa më parë për të dalë faqebardhë”.
“Fillimisht duhet të mësojmë si funksionojnë gjërat. Kritikat ua bëj lojtarëve në dhomat e zhveshjes dhe marrim mësime. Kemi bërë gabime dhe kemi reaguar më pas. Ndoshta ky është çelësi i suksesit, pasi jemi ngritur sa herë jemi rrëzuar”.
“Ne jemi një ekip që duam të fitojmë dhe kemi investuar shumë. Duhet t’i marrim ndeshjet seriozisht dhe lojtarët të kënaqen në vazhdim dhe të punojnë fort për të ngritur klubin. Nuk kemi çfarë humbim, luajmë gjithçka për gjithçka në ndeshjet e mbetura”. /abcnews.al