“Toyota Yaris”, Taulant Balla dhe Lulzim Basha refuzojnë pajtimin

schedule10:40 - 10 Tetor, 2018

schedule 10:40 - 10 Tetor, 2018

Gjykata e Tiranës nuk mundi të zgjidhë me pajtim padinë për shpifje të deputetit socialist, Taulant Balla, kundër kryeopozitarit, Lulzim Basha. Në seancën ku ishte prezent vetëm Balla, avokatët e Bashës thanë se klienti i tyre i qëndron deklaratave që lidhin deputetin socialist me “Toyotat Yaris” ku u gjetën 3.4 milionë euro.

Mëngjesin e së mërkurës deputeti socialist Taulant Balla mbërriti në Gjykatën e Tiranës për të marrë pjesë në gjykimin e padisë së tij për “shpifje” kundër kreut të opozitës, Lulzim Basha.

Si palë akzuese ai u ul në tavolinën ku në proceset penale qëndron prokurori. Me gjithë dëshirën e tij të shprehur më herët për të pasur përballë kryeopozitarin Basha, në anën tjetër qëndronin përfaqësuesit e tij ligjorë, Ivi Kaso dhe Gazment Bardhi.

Sipas procedurës së parashikuar për seancën e parë për këto lloj çështjes, gjyqtari Gerd Hoxha ftoi palët në zgjidhjen e çështjes me pajtim, por hasi në refuzimin e tyre.

Përmes avokatit Gentian Rumano, deputeti Balla kërkoi deklarimin fajtor të Lulzim Bashën për akuzën e “shpifjes”. Sipas Ballës, Basha ka shpifur kur gjatë një fjalimi në sallën e parlamentit ka lidhur emrin e tij me “Toyotat Yaris” të bllokuara në portin e Durrësit në Qershor 2018, në bordin e të cilave u gjendën 3.4 milionë euro.

Këto akuza të drejtpërdrejta, tha avokati, të difuzuara në të gjitha mediat print dhe elektronike kanë cënuar reputacionin, nderin dhe dinjitetin e klientit tim.

Sipas tij, Basha duhet t’i provojë në gjykimin e çështjes pretendimet e ngritura, pasi i ka përsëritur ato në raste të tjera. Ndërsa avokatët e të paditurit thanë se Basha i qëndron të gjitha deklaratave të bëra prej tij dhe se ato janë bërë në cilësinë e kryetarit të opozitës.

Në këto kushte, gjyqtari Hoxha kaloi çështjen në gjykim dhe shtyu seancën për në 23 tetor. Jashtë gjykatës, Balla tha se do t’i shkojë çështjes deri në fund dhe se më dëmshpërblimin që do të marrë nga Basha do ta çojë për bamirësi./abcnews.al