Arbitri Klajdi Qendraj është goditur sot nga një lojtar i Mirditës, i cili u largua më pas nga dritarja e dhomave të zhveshjes për të mos rënë në duart e forcave të rendit. Policia e ka shpallur në kërkim futbollistin, për shkak të të cilit u ndërpre edhe takimi Sopoti-Mirdita, në fundin e pjesës së parë kur ndeshja ishte 2-1 në favor të skuadrës nga Librazhdi. Për këtë ngjarje ka reaguar edhe FSHF.
REAGIMI – “Federata Shqiptare e Futbollit dënon incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes KF Sopoti-KF Mirdita, e vlefshme për javën e 23-të të Kategorisë së Dytë, Grupi A dhe që luhej në stadiumin e Cërrikut.
Në minutën e 44-t, një lojtar i Mirditës ka goditur gjyqtarin e takimit Klajdi Qëndraj, duke sjellë edhe ndërprerjen e takimit. Organet e drejtësisë sportive do të mblidhen me urgjencë për këtë ngjarje kaq të rëndë, e cila njollos gjithë futbollin.
I bëjmë thirrje drejtuesve të klubeve dhe lojtarëve të respektojnë rregullat “fair-play”, të shmangin dhe të parandalojnë akte të tilla të dhunshme, që nuk duhet kurrsesi të kenë vend në futboll”, shkruhet në reagimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
REAGIMI I SHOQATËS SË ARBITRAVE – “BASHF shpreh solidaritetin me gjyqtarin Qëndraj dhe, duke i uruar atij shërim sa më të shpejtë, kërkon reagimin sa më të shpejtë të autoriteteve shtetërore ligjzbatuese për ndalimin e autorit të dhunës dhe vënies para përgjegjësisë penale.
Edhe një herë duam t’u bëjmë thirrje klubeve të futbollit, drejtuesve dhe lojtarëve, që të marrin të gjitha masat për të shmangur e parandaluar akte të tillë të shëmtuara, që dëmtojnë rëndë imazhin e futbollit dhe të arbitrimit.
Asgjë nuk mund të përligjë përdorimin e dhunës ndaj arbitrave apo kujtdo tjetër në një ambient sportiv. Ne nxisim respektimin e rregullave ‘fair play’ dhe theksojmë me forcë se dhuna nuk mund të ketë kurrsesi vend në futboll”. / abcnews.al