Zaev: Kthim prapa s’ka, NATO e BE pa alternativë

schedule19:55 - 9 Tetor, 2018

schedule 19:55 - 9 Tetor, 2018

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev thotë se nuk ka alternativë tjetër përveç antarësimit në NATO dhe BE. Ai shprehet optimist për ndryshimet kushtetuese në parlament për implementimin e marrëveshjes për emrin me Greqinë.

Kryeministri Zaev ka deklaruar se ka atmosferë për miratimin e katër propozim-amendamenteve për ndryshimin e Kushtetutës, në të cilën kudo që përmendet Republika e Maqedonisë duhet të shtohet ‘së Veriut. Sipas tij ka mundësi që të sigurohet shumica e domosdoshme e dy të tretave për kalimin e ndryshimeve kushtetuese. Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka folur sot me tone optimizmi për mundësinë e votimit me dy të tretat të ndryshimit të Kushtetutës, duke lënë të kuptohet se nuk ka kthim prapa dhe, gjithnjë sipas tij, Maqedonia nuk ka as alternativë e as opsion tjetër veç integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Unë jam optimist, jam i relaksuar, Maqedonia po e përjeton kohën e bukur historike ku qytetarët kanë mundësi dhe të drejtë të vendosin, ata vendosën. Mbrëmë qeveria vendosi, tani do të vendosë Parlamenti”.

Ai ka përgenjështruar të gjitha spekulimet e kohëve të fundit se deputetëve janë ofruar shuma të mëdha parash për të votuar pro ndryshimeve kushtetuese, ndërkohë që ka hedhur poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme si rrugëdalje nga ngërçi i krijuar politik.

“Opsioni i vërtetë është parlamenti. Maqedonisë nuk i duhet të shpenzojë edhe dy tre muaj të tjerë dhe të gjithë e dinë se nëse shkojmë në zgjedhje kush do të fitojë si shumicë dhe kush do të ketë shumicën e re të dy të tretave. Por dy tre muaj do të kenë ikur dhe atëherë FMN-ja do të flasë për uljen e rritjes ekonomike nëse ne shpenzojmë kështu kohën e shtetit. Nuk duhet ta humbasim asnjë ditë, afatet janë të qarta, rregullorja është e qartë, sa kohë zgjat plenarja, sa kohë zgjasin debatet në komisione. Ne duhet t’u përmbahemi pikërisht këtyre afateve, por për afate të tjera mos e dhashë Zoti të bisedojmë, kështu që duhet të jemi maksimalisht të fokusuar, t’ja dalim përmes parlamentit”.

Ndërkaq, në një reagim me shkrim të partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE thuhet vendimi i Kryeministrit Zaev për ndryshim të Kushtetutës në fakt nëpërkëmb popullin maqedonas. Sipas opozitës Zaev, duke mos hequr dorë nga marrëveshja kapitulluese me Greqinë, ka vënë karrierën e tij mbi interesat shtetërore e kombëtare maqedonase./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!