Raporti i Fleckenstein për Shqipërinë mbështetje të gjerë në PE

schedule17:58 - 8 Tetor, 2018

schedule 17:58 - 8 Tetor, 2018

Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian ka diskutuar raportin e eurodeputetit Knut Fleckenstein për integrimin europian të Shqipërisë. Ky raport ka në thelb mbështetjen për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian në qershor të 2019, duke vendosur theksin edhe te dobësitë aktuale në procesin e reformave. Gjate debatit në gjirin e eurodeputetëve, raportuesi Knut Fleckenstein ka deklaruar, se Shqipëria ka bërë progres në eurinë e përgjithshme të reformave, por duhet vijuar me zbatimin e tyre. Fleckenstein ka vënë në pah ecurinë e mirë të procesit të Vettingut, por ka kërkuar vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë: Ne mirëpresim qëndrimin e Këshillit të Ministrave për të hapur negociatat vitin e ardhshëm dhe presim që Këshilli të respektojë këtë angazhim dhe të hapë negociatat me vendin në qershor të 2019. Ne jemi të kënaqur me përparimin e reformës ambicioze të drejtësisë dhe ne po shohim frytet e para të saj dhe ecurinë pozitive të procesit të Vettingut. Por ne kërkojmë më shumë rezultate për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, për të drejtat e njeriut dhe zbatimit të drejtave të pronësisë.

Eduard Kukan, raportues në hije: Ne duhet t’i përçojmë 4 mesazhe kryesore përmes këtij raporti. Së pari, Shqipëria ka bërë progres dhe ne duhet të mbështesim hapjen e negociatave në qershor të vitit 2019. Së dyti, ne duhet të inkurajojmë vazhdimin e reformave kryesisht në sistemin e drejtësisë, shtetin ligjor dhe administratës publike dhe duhet të ndjekim nga shumë afër zbatimin e tyre, si dhe duhet të evidentojmë çështje problematike, por edhe progresin. Së treti, duhet të jemi realistë. Qeveria shqiptare duhet të zgjidhë problematiken në rritje krimit të organizuar dhe korrupsionit ne vend, që në shumë mënyra po cënojnë progresin e vendit. Duhen rezultate konkrete për luftên kundër krimit të organizuar dhe çështjen e drogês, kultivimit të kanabisit dhe korrupsionit.

Charles Tannock: Ne duhet gjithashtu të nënvizojmë problemet që ekzistojnë me Greqinë bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe konventat ndërkombëtare dhe të respektojnë tërësisht të drejtat e minoritetit grek dhe minoriteteve të tjera.

Gjatë debatit i është kushtuar vemendje edhe përmirësimit të të drejtave të njeriut, çështjes së pronës dhe mbrojtjen e pasurive natyrore, si dhe respektimin e standardeve europiane për hidrocentralin mbi lumin Vjosa dhe hidrocentrale të tjerë.

Igor Soltes, eurodeputet: Jemi të kënaqur për përfshirjen e kompromisit mbi mbrojtjen e lumit të Vjosës dhe hidrocentraleve të tjera. Qeveritë shqiptare duhet ta kuptojnë, se s’mund të dëmtojnë pasuritë natyrore dhe të mos respektojne standardet europiane.

Raporti Fleckenstein ka hasur në një mbështetje të gjerë të grupimeve politike. Kjo reflektohet nga fakti, se për këtë raport janë prezantuar 23 amendamente, që përbën edhe numrin më të vogël të amendamenteve lidhur me raportet e mëparshme për Shqipërinë dhe krahasuar me raportet për vendet e tjera të rajonit./abcnews.al