Interi u shpall kampion Italie për herë të 19-të ditën e sotme, pasi Atalanta barazoi në transfertë me Sassuolon. Në Milano menjëherë nisi festa, ndërkohë që edhe trajneri Antonio Conte ka folur për emisionin “90 minuto” në Rai.
“Mendoj se hapi që kemi bërë përpara këtë sezon na çoi te titulli kampion. Duhet ta shijojmë të tashmen, hapin që këta djem dëshironin ta bënin. Kemi edhe katër ndeshje të tjera për të shijuar momentin”, tha fillimisht Conte.
“Çfarë ndryshoi tek Interi? Gjithmonë jemi përballur me situata të ndryshme gjatë lojës, herë duke shkuar shumë para e duke lënë hapësira, herë duke e ftuar kundërshtarin të na sulmojë, që më pas ne të kundërsulmonim. Ekipi me të vërtetë që u rrit, u zhvillua.
Gjatë një sezoni duhet të jesh në gjendje të sillesh ndryshe, në mënyrë që të jesh i paparashikueshëm. Ju nuk mund te sulmoni ose të mbroni gjithmonë. E gjitha ka të bëjë me të kuptuarit se kur duhet të shtysh përpara, kur duhet t’i japësh.
Aty u përmirësuam, në leximin e lojës dhe gjetjes së momentit të duhur për të goditur. Një ekip nuk mund të ushtrojë presion 90 minuta pa pushim. Kundërshtarët në Itali të studiojnë dhe gjejnë mënyra për të neutralizuar pikat e forta.
Nëse ke durim dhe pret momentin e duhur për goditur, si dhe kur ke një ekip në formë fizikisht, atëherë e di që herët apo vonë kundërshtari do e humbasë intensitetin”, shtoi trajneri i Interit, i cili në fund bëri edhe dedikimet e tij për këtë arritje.
“Këtë titull ua dedikoj njerëzve afër me, gruas, vajzës, vëllezërve të mi. Dua të falënderoj Lele Orialin, i cili është shumë i rëndësishëm për mua dhe më ka ndihmuar shumë ndër vite”, ka përfunduar Conte deklaratën e tij. / abcnews.al

