Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është takuar gjatë vizitës në Beograd me presidentin Aleksandër Vuçiç. Ai shprehu ngushëllime për familjarët që kanë humbur të dashurit e tyre, gjatë bombardimeve të viteve ’99 dhe tha se NATO dëshiron siguri për të gjithë në Ballkan.
Gati dy dekada më parë, avionet e NATO-s ishin nisur drejt Jugosllavisë për ta bombarduar për shkak të Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka arritur në Serbi. NATO ngelet një nga organizatat më të urryera, por edhe më të besueshme për të qëndruar në Kosovë. Fillimisht është pritur me ceremoni në një ushtrim të mbrojtjes civile. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se bashkëpunimi me NATO është i rëndësishëm.
Aleksandër Vuçiç: “Kjo është e vetmja mbrojtje për popullin serb për atë që në e quajmë territor tonin, kurse shqiptarët jo. E kam lutur të mos zvogëlohet misioni i KFOR-it pasi është faktor i rëndësishëm dhe në çdo moment, për disa minuta, ne mund të jemi në kontakt me z. Stoltenberg dhe kjo për mua është lehtësim për mbrojtjen e serbëve”.
Serbia, pikërisht për shkak të së shkuarës së hidhur me NATO-n është neutrale ushtarakisht.
Stoltenberg, u ka shprehur ngushëllime dhe keqardhje familjeve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit.
Jens Stoltenberg: “I shpreh ngushëllimet e mia për të gjitha familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre. Të shkuarën nuk duhet harruar, por duhet ndërtuar të ardhmen. Këtë po mundohemi ta bëjmë edhe me Serbinë. NATO në Ballkan dëshiron siguri për të gjithë”.
Stoltenberg do të jetë pjesë edhe e një forumi bashkë me presidentin Vuçiç. Ai është fokusuar edhe tek Maqedonia, për të cilën ka thënë se nuk ka plan B, por mund të jetë në aleancë në momentin e përfundimit të problemit të emrit./abcnews.al