VIDEO/ Dy brazilianë nderojnë Realin, turqit rikthejnë Lille në krye të Ligue 1

schedule22:53 - 1 Maj, 2021

schedule 22:53 - 1 Maj, 2021

Fiton Real Madrid në La Liga, ndërsa Lille nuk gabon në shtëpi përballë Nice dhe rikthehet në krye të Ligue 1. “Los Blancos” vuajtën shumë, por ia dolën të mposhtin në fushën e tyre 2-0 Osasunën. Ndeshja ishte e vakët dhe me pak raste për gol.

Osasuna gjeti golin e avantazhit në minutën e fundit të pjesës së parë, por Avila ishte në pozicion të parregullt. Për të shijuar golin e parë zyrtar duhej pritur minuta e 76-të. Isco krosoi nga goditja e këndit dhe Eder Militao kërceu më lart se të gjithë.

Mbrojtësi brazilian realizoi me kokë, duke qetësuar Zidane. Moment shumë i mirë për Realin, që gjeti edhe golin e dytë katër minuta më vonë. Kundërsulm i shpejtë, asist i Benzema dhe finalizim i çuditshëm i Casemiros.

Përfundimisht 2-0 dhe “Los Blancos” në vend të dytë në La Liga me 74 pikë, dy më pak se Atletico kryesuese. I njëjti rezultat u regjistrua edhe në takimin Lille-Nice. Vendasit po zhvillojnë një sezon mahnitës.

Sot fituan 2-0 dhe kryesojnë kampionatin francez. Tre javë kanë mbetur deri në fund dhe Lille kryeson me një pikë më shumë se kampionët në fuqi të PSG-së. Rikthehemi te ndeshja. Burak Yilmaz zhbllokoi sfidën në minutën e 13-të.

Goli i 13-të sezonal për “veteranin” turk, i cili po kalon një rini të dytë në Francë. Golin e qetësisë e realizoi Zeki Celik në minutën e 56-të. Tetë minuta më parë, ekipi mik kishte mbetur me dhjetë lojtarë. Gol shumë i bukur i mbrojtësit turk dhe 2-0 për Lille, që është afër realizimit të ëndrrës së madhe. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!