Splinter de Mooij është vetëm 19 vjeç dhe dhe ka vendosur t’i japë fund karrierës në momentin më të mirë. Në Holandë cilësohet si një talent, por e ka ndarë mendjen prej kohësh dhe ka lajmëruar drejtuesit për vendimin e tij aspak zakonshëm. Një shkak e ka dhe gjithçka lidhet me ëndrrat, dhe realizimin e sa më shumë të tillave.
Feyenoord e zbuloi tetë vite më parë. Skautët e klubit të njohur holandez nuhatën diçka te djaloshi dhe pas futjes në akademi nisi rrugëtimi i tij i suksesshëm. Pas pesë viteve erdhi kontrata e parë si profesionist me Feyenoord, firma me Adidas dhe debutimi me Holandën U18.
Gjërat po ecnin shumë mirë, por de Mooij i befasoi të gjithë me zgjedhjen e tij. Në korrik feston 20-vjetorin, teksa ka vendosur të tërhiqet nga futbollit për t’u bërë mjek. Dekadë e re, hap ndryshe dhe ëndërr tjetër. Vendim që e shpjegon bukur dhe në stilin e tij.
“Kur u zbulova nga skautët e Feyenoord në vitin 2013 dhe, më pas, firmosa kontratën e parë me klubin, ëndrra ime për t’u bërë një futbollist profesionist u realizua. Pas gjithë këtyre viteve të shkëlqyera i bëra të ditur drejtuesve gatishmërinë time për t’u larguar nga futbolli.
Unë dua të përmbush ambicien time të dytë: dua të bëhem mjek. Në shtator do të nis studimet për këtë profesion. Falënderoj Feyenoord, stafin e akademisë dhe të gjithë të tjerët për trajtimin e mrekullueshëm që kam marrë prej tyre.
Sigurisht që dua të falënderoj edhe shokët e skuadrës, për miqësinë dhe gjithçka që kemi kaluar së bashku“, përfundon de Mooij, në të ardhmen mjeku që kishte qenë dikur një futbollist tepër i talentuar. /abcnews.al