Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të gjykatësit Sotiraq Lubonja. Ai ishte gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Korçës.
“Në përfundim të këtij procesi të rivlerësimit referuar nenit 58 dhe referuar nenit 51 pika 3 të ligjit 84 2016 si dhe në nenin d pika 5 të aneksit të Kushtetutës vendosi shkarkimin nga detyra të z. Sotiraq Lubonja. Vendimi i arsyetuar me shkrim u njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit në përputhje me pikën 7 të nenit 55 të ligjit 84 2016. Ky vendim mund të ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri publik 15 ditë nga data e publikimit.”
Ai iu nënshtrua Vettingut në mënyrë prioritare për shkak se emri i tij ishte përzgjedhur për të qenë në detyrën e anëtarit zëvendësues në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Gjyqtari doli para Komisionit më 3 Tetor. Ai rezultoi i pastër sa i përket figurës dhe aftësive profesionale, por KPK cilësoi të pajustifikuar vlerën e ndërtimit të një banesës së tij 2-katëshe në qytetin e Korçës dhe shfaqi rezerva për një dhuratë 4 milionë lekë nga nëna e tij, si edhe disa dhurata monetare të bëra nga vjehrri dhe vjehrra tek dy djemtë e tij.
Lubonja sqaroi se paratë e dhëna nga nëna ishin kursimet e gjithë familjes. Për shumat e dhuruara nga vjehrri, gjyqtari tha se prej vitesh ata jetojnë në SHBA dhe se pensionet e tyre në Shqipëri ua kanë dhuruar nipërve. Por kërkesa e tij për konfirmim në detyrë nuk u prit mirë nga dy denoncues, që ndoqën seancën./abcnews.al

