Në KZAZ-në 22 në Durrës është ndërprerë procesi i numërimit prej më shumë se tre orësh. Shkak për ndërprerjen e procesit janë bërë fletët e pavlefshme të votimit, që komisionerët e PD-së dhe LSI-së pretendojnë të kenë gjetur.
Duke qenë se LSI-së i duheshin 120 vota për t’i marrë mandatin e tetë Partisë Socialiste, komisionerët e partisë së Monika Kryemadhit pretendojnë se tashmë kur po numërohen votat për kandidatët kanë zbuluar shumë fletë votimi të pavlefshme që sipas tyre i kanë kaluar PS-së si të vlefshme dhe për këtë arsye i kanë dërguar një kërkesë në KQZ për të rinumëruar kutitë në të cilat pretendohet të jenë gjetur fletë të pavlefshme votimi.
Debatet mes anëtarëve të komisionit ka sjellë pezullimin e numërimit. Kujtojmë se nga numërimi i votave të subjekteve politike, në këtë qark, PS fitoi tetë mandate dhe i teti në listë ishte pikërisht kryeministri Edi Rama kurse PD mori 6 mandate, e LSI asnjë. sb/abcnews.al/