Përmes një shënimi në faqen zyrtare në “Facebook” Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë përgëzoi Policinë Shqiptare dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për përfundimin me sukses të pjesës së dytë të operacionit “One by Land”.
Ky operacion u ndërmor në bashkëpunim me agjentët specialë të Shërbimit të Sigurimit Diplomatik të Departamentit të Shtetit pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Ky operacion bëri të mundur shkatërrimin e shtatë grupeve të strukturuara kriminale, të cilët mundësonin kalimin e paligjshëm të kufinjve duke lëshuar dokumenta të flasifikuar.
Grupet operonin në Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Francë, Republikën Domenikane, Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.
Si pjesë e operacionit, policia arrestoi dy oficerë shqiptarë policie me detyrë kontrollorë kufiri, të cilët bashkëpunonin me grupet.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë dhe mbështesin përpjekjet në zbatimin e ligjit për të parandaluar emigrimin e paligjshëm dhe për të arrestuar personat përgjegjës”, theksohej në shënimin e ambasadës./abcnews.al