Thaçi: Nuk do kërkoj mandat tjetër as si kryetar shteti, as si kryetar partie

schedule14:35 - 5 Tetor, 2018

schedule 14:35 - 5 Tetor, 2018

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se nuk ka ndërmend të kërkojë një mandat tjetër si kryetar shteti dhe as si kryetar partie. Ndërsa marrëdhëniet me kryetarin aktual të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ai i konsideroi shumë të mira.

Në një debat televiziv në radiotelevizionin e Dukagjinit, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi mohoi se ka probleme me pasuesin e tij në drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.

 “As nuk ka pasur, as nuk ka e as nuk do të ketë. Raportet e mia miqësore, prej bashkëluftëtarëve, prej miqve familjar, edhe prej bashkëpunëtorëve politik tejkalojnë çdo kornizë politike. Kemi agjendë të përbashkët me z.Veseli, sot kam pirë kafe me të”.

Duke iu rikthyer vizitës në Liqenin e Ujmanit presidenti Thaçi u shpreh se nuk i kishte marrë leje askujt, pasi nuk ishte e nevojshme. Kreu i shtetit theksoi se vizita ishte thjesht dëshira e tij.

Ai premtoi se nuk do të kthehet në PDK e as në pozita parlamentare apo qeveritare. Madje, paralajmëroi se nuk do të rikandidojë për president, nëse nuk është vetë populli që do ta zgjedhë

“Nuk kthehem në angazhime partiake, nuk kthehem në angazhimet në parlamentar e as në qeveri. Nëse ndodh reforma elektorale, dhe krijohet mundësia e organizimit të zgjedhjeve për president, në formën e drejtpërdrejtë, atëherë do të rikandidoj.  Jam i bindur që fitoj që në raundin e parë. Përndryshe, do tu mungoj në debate, si President i vendit”Ndërkohë dhe mediat serbe kanë pasqyruar intervistën e tij duke u përqendruar tek deklarata se çdokush ëndërron bashkimin me Shqipërinë”.

Sipas mediave serbe Thaçi theksoi se perspektiva europiane e Serbisë do të detyrojë vendin të pranojë idenë e tij për korrigjim kufijsh. Dhe në rast bashkimi të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, nuk do të kishte fare problem për ndryshimin e flamurit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!