Raporti i FBI-së përplas senatorët amerikanë

schedule23:59 - 4 Tetor, 2018

schedule 23:59 - 4 Tetor, 2018

Senatorët amerikanë janë përplasur të enjten në lidhje me raportin e FBI-së që hetoi akuzat për agresion seksual ndaj kandidatit të presidentit Trump për Gjykatën Supreme. Për republikanët, raporti nuk cënon figurën e Bret Kavanah, ndërsa për demokratët hetimi ishte i mangët.

Raporti i FBI-së mbi të zgjedhurin e Donald Trump për drejtimin e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara ka përplasur anëtarët e Senatit amerikan. Pas mbikëqyrjes së raportit, demokratët kanë deklaruar se ai është i paplotë; ndërsa republikanët janë shprehur se dokumenti nuk vërteton asnjë nga akuzat e bëra ndaj Bret Kavanah.

Kryetari i komisionit të drejtësisë, Çak Grejslli tha se hetimi i FBI-së nuk konstaton asnjë sjellje që mund të cënojë figurën e Kavanah. Edhe Xhef Flejk dhe Suzan Kollins, të njohur si senatorët e moderuar e që kishin mbështetur hetimin e FBI-së, deklaruan njëzëri se raporti nuk përmban asnjë element shtesë dhe tregon se hetimi ka qenë tërësor.

Nga ana tjetër, demokratët ngritën shqetësimin se hetimi ka qenë i cunguar dhe dëshmitarët kryesorë nuk janë marrë në pyetje. Dajen Feinshtejn e cilësoi hetimin të paplotë dhe theksoi se raporti nuk përmban pjesën thelbësore të procesit.

Votimi për konfirmimin e Kavanah mbahet të shtunën dhe mbështetja e figurës së tij të do të ishte një fitore për presidentin Trump dhe grupin e tij parlamentar, në një kohë kur po afrojnë zgjedhjet e nëntorit.

Republikanët kanë një mazhorancë 51 me 49 në Senat, por shumica për konfirmimin e kandidatit nuk është e sigurtë. 9 anëtarët e Gjykatës Supreme marrin mandat të përjetshëm dhe luajnë një rol kyç për çështjet më jetike të Shteteve të Bashkuara, nga aborti tek kontrolli i armëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!