VIDEO/ Gola dhe spektakël në ishull, Cagliari thyen Romën

schedule19:54 - 25 Prill, 2021

schedule 19:54 - 25 Prill, 2021

Cagliari fitoi 3-2 përballë Romës ditën e sotme. Suksesi i tretë radhazi për ekipin sard, që po lufton për të qëndruar në Serie A. Verdhekuqtë i thonë lamtumirë nga kampionati Champions League me humbjen e sotme, objektiv që mund të realizojë nga Europa League.

Ekipi i Fonsecas do të përballet me Manchester United në gjysmëfinalet e Europa League dhe fitimi i këtij kompeticioni sjell aktivizimin në Champions për sezonin e ardhshëm. Rikthehemi te ndeshja e luajtur në ishull.

Charalampos Lykogiannis kaloi vendasit në avantazh në minutën e katërt, por Roma gjeti barazimin me anë të spanjollit Carles Perez. Pjesa e dytë ishte edhe më e bukur. Razvan Marin riktheu Cagliarin në avantazh falë një goli të bukur, që erdhi pas një gafe të mbrojtjes mike.

Shtatë minuta pas golit të rumunit, ekipi vendas trefishoi falë golit me kokë të Joao Pedros. Me kokë realizoi edhe argjentinasi Fazio në krahun tjetër në minutën e 69-të, por sfida nuk prodhoi më gola dhe Cagliari siguroi tre pikë jetike. Marash Kumbulla e ndoqi gjithë ndeshjen nga stoli. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!