Partizani u ngjit në mënyrë impresionuese në krye të Superligës, pas fitores bindëse me Teutën. Kryeqytetasit triumfuan 3-0 në stadiumin “Selman Stërmasi”.
E mira do kohën e vet, por duket se më në fund ka ardhur.
Partizani është, mesa kuptohet, e mira numër 1 e këtij kampionati, siç e tregoi me suksesin ndaj Teutës edhe pse duhet të presë reagimin e rivalëve. Një sukes 3-0 ndaj një ekipi që pak ditë më parë mundi 2-0 Skënderbeun kampion, pra diçka aspak e vogël.
Ky është Partizani i Skënder Gegës, trajnerit që ka provuar kapriçot e profesionit duke punuar me ndërprerje të mëdha, por që po ndihet vërtet profesionist në atë që mund të quhet shtëpia e tij. Epërsia e të kuqve në “Selman Stërmasi” ndoshta nuk ishte dërrmuese, por gjithsesi e tillë që mund ta ketë vetëm një skuadër e përgatitur mirë, që e meriton emrin kolektiv.
Jasir Asani është lojtari i momentit, autor i dy golave, ndërsa dallohen edhe të tjerët, Mala, Hila, Mensah apo Telushi, pa harruar kapitenin Alban Hoxha, një garanci në portë. Me këtë fitore, Partizani u ngjit në kuotën e 16 pikëve, me 5 fitore në 7 javë Superligë, ndërsa humbja e javës së parë në Korçë ka nisur të harrohet, ashtu siç po harrohet edhe goli i vetëm i pësuar.
Tifozët u kënaqën jo vetëm për fitoren, por sidomos për lojën dhe për golat që po shënohen të shumtë, dhe për herë të parë pas kaq kohësh, ekipi i tyre ka më shumë rrjeta sesa ndeshje. Tashmë, kryeqytetasit presin rezultatin e rivalëve direktë për titull, në sfidën e Korçës, që do të luhet këtë të enjte, mes Skëndebeut e Kukësit.
Gjithsesi, ata e kanë hedhur bindshëm kandidaturën për titull./abcnews.al