Sejko: Lirohen likuiditetet për rritjen e kreditimit

schedule17:52 - 3 Tetor, 2018

schedule 17:52 - 3 Tetor, 2018

Banka e Shqipërisë vlerëson se marrja e borxhit në formën e një eurobondi në tregjet ndërkombëtare, bën që paratë e bankave të mos shkojnë për blerjen e bonove të thesarit, por për të rritur kredinë në ekonomi. Guvernatori Gent Sejko e vlerësoi operacionin si të suksesshëm dhe me një normë interesi më të ulët se në vitet e tjera.

Për Bankën e Shqipërisë emetimi i bondit me vlerë 500 milionë euro në tregjet e huaja dhe jo ato vendase do të krijojë mundësinë që bankat në Shqipëri të investojnë paratë në kredi për biznesin dhe individët dhe jo në bono thesari.

“Eurobondi liron likuiditet ne vendin tone per kreditim, sinjal pozitiv per investitoret e huaj”, u shpreh Sejko.

Guvernatori i bankës qendrore e vlerësoi si të suksesshëm mbylljen e transaksionit për emetimin e eurobondit me një normë interesi 3.55%. Ai tha se interesi ishte dyfish më i ulët se sa është kërkuar, çka do të thotë se ekonomia shqiptare shihet me besim nga investitorët.

“Ky është tregues i vlerësimit të ekonomisë shqiptare nga tregjet ndërkombëtare, përveç atyre të organizmave ndërkombëtare. Ai na vlerësoi me një interes të mirë për situaten aktuale, normat lëvizin nga dita në ditë”, theksoi guverantori i Bankës së Shqipërisë.

Në mbledhjen e të mërkurës Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, ndërsa vlerësoi një stabilizim të kursit të këmbimit, por pa deklaruar nëse banka qendrore do të vijojë më tej me politikën e saj të ndërhyrjes në tregun e këmbimit valutor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!