E vërteta e shkollës për të cilën u protestua 12 ditë

schedule18:41 - 3 Tetor, 2018

schedule 18:41 - 3 Tetor, 2018

Për afro dy javë nxënësit dhe prindërit në Mengël të Elbasanit protestuan për shkollën. Fillimisht fëmijët refuzuan të shkonin në shkollat e tjera më parë dhe hapën dyert e godinës. Por kur kjo u mor në mbrojte nga policia, ata protestuan në rrugë duke e mbajtur atë të bllokuar me orë të tëra. Por cila është e vërteta e shkollës Mengël dhe pse ajo shkaktoi kaq probleme. Ndërkohë sot nisën punimet për riparimin e saj dhe siç gazetari i ABC News mësoi, ato do të zgjasin vetëm dy javë.

“Ka përfunduar sot protesta e prindërve dhe fëmijëve në fshatin Mengël të Elbasanit. Përfundimisht Bashkia e Elbasanit ka akorduar 7 milionë lekë për rikonstruksionin e shkollës dhe firma ka nisur nga punimet”, raporton gazetari Fatos Salliu.

Këtë të mërkurë aty nisi  puna për rikonstruksionin e shkollës.

Bashkia Elbasan afroi rreth 7 milionë lekë të vjetra dhe punimet do të përfundojnë brenda dy javëve.

Kurse nxënësit pas 13 ditësh, nisën mësimin në shkollat e qytetit të Elbasanit. ABC News siguroi  dokumentacionin për të treguar të vërtetën e kësaj historie.

Gjendja jo e mirë e godinës u raportua në vitin 2011 nga drejtoresha e cila njoftoi komunën, Drejtorinë Arsimore, qarkun dhe institucionet përgjegjëse. Ajo raportoi që situata nuk është e mirë duke nisur nga çatia, muret dhe dyshemeja.

Shqetësimet për shkollën vazhduan në vitin 2012, 2013 për të mbërritur në vitin 2017 kur ajo mori goditje të rëndë pas tërmetit të datës 24 Maj 2017.

Pati çarje me përmasa të mëdha të mureve dhe nxënësit u evakuuan.

Në këtë kohë, kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, iu drejtua me shkresë DAR Elbasan ku kërkohet  që nxënësit të vazhdojnë mësimin në shkollat të tjera dhe ashtu u bë.

Një grup inxhinierësh kryen inspektimin dhe arritën në përfundimin që shkolla kishte dëmtime serioze.

“Instalimet elektrike nuk i përshtaten kohës dhe do të ribëhen. Panelet dhe kuadrot e komandimit janë komplet të dëmtuara. Rrjeti i IT-së në objekt mungon. Furnizimi me ujë bëhet nga rrjeti dhe është me ujë vetëm kur linja ka ujë. Shkolla nuk ka sistem ngrohjeje dhe ka nevojë për klasa shtesë për zhvillimin e mësimit me një turn. Pastaj flitet për ambientin e jashtëm të kësaj shkolle, pra konkluzioni i përgjithshëm i tre inxhinierëve, Reshit Bevija, Erjon Stambollxhiu dhe Kledjon Bici është: Mendojmë që shkollës t’i bëhet një shtesë ambientesh për tri klasa. Shkolla duhet të rikonstruktohet komplet që të jetë e qëndrueshme dhe bashkëkohore”, theksoi gazetari i ABC News.

Për gjendjen e shkollës në vitin 2017 u njoftuan edhe prindërit.

Ata ranë dakord që fëmijët të merrnin mësim në shkollat e Elbasanit. Por kërkuan rikonstruksion të shpejtë që viti i ri mësimor të niste në këtë godinë.

Kjo nuk ndodhi. Mosmbajtja e premtimit ishte dhe shkaku i nisjes së protestës. Kurse përshkallëzimi i saj si pasojë e mos reagimit nga institucionet.

“Në qoftë se nuk fillon shkolla këtu do jetë më shumë protestë. Nuk është bërë asgjë akoma. Do jetë protestë masive për të drejtat tona”, u shpreh një nga protestuesit.

“Këto u ndërmorën që të vinte një i madh, një përfaqësues bashkie ose  arsimi, të na jepte një përgjigje”, tha një tjetër.

“Ta dinë të gjithë që nëse ndalohet, ka një tallje, në qoftëse luhet dinjitetin tonë, ta harrojnë që ne do e ndalojmë këtë që kemi nisur për fëmijët tanë”, u shpreh një protestuese tjetër.

Në protestën e fundit shumë fëmijë u panë duke qarë. Prindërit akuzuan policin për dhunë. Kjo e fundit mohoi kategorikisht rrahjen e të vegjëlve.

“Prindërit kanë dyshimet e tyre rreth vonesës së rikonstruksionit të shkollës. Disa prej tyre mendojnë se shkolla do të ndryshonte destinacion prandaj dhe ata këmbëngulën, ndërkohë që mohuan që kjo pprotestë të ketë pasur motiv politik”, tha Salliu.

Gazetar i ABC News: Fatos Salliu

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!