Tkurret Kukësi, çiftet e reja nuk lindin fëmijë

schedule15:43 - 3 Tetor, 2018

schedule 15:43 - 3 Tetor, 2018

Numri i banorëve në Kukës po tkurret për shkak të lindjeve të pakta dhe emigracionit. Aktualisht Kukësi ka 60 mijë banorë, por pas 20 vjetësh parashikohet përgjysmimi i tij.

Ka zbritur nga Kalja e Dodës e Dibrës në maternitetin e Kukësit. Është shtuar me nip. Avni Zeka bashkë me kushëririn e tij presin në oborr.

Të rinjtë e sotëm s’janë si dikur dhe nuk duan shumë fëmijë. Kurse nëna e tij ka rritur shtatë djem.

“Nuk është ajo e para, ka shumë probleme jeta, nuk është njëlloj tani e shumta dy ose tre, sikurse ka bërë nëna ime shtatë. Sot nuk bëhen më, 2-3”.

Ekonomia dhe emigracioni janë shkaqet kryesore pse hezitojnë të lindin më shumë fëmijë familjet kuksiane.

“S’kanë gjendje ekonomike njerëzit, duhen kushte, shkollë e shumë gjëra”.

Dhe pse pensionit, Han Baja vazhdon të shërbejë si mjek në maternitetin e Kukësit. Doktor Hani thotë se lindjet janë përgjysmuar të shtrira në kohë, madje me trend rënie.

“Lindjet pas vitit ‘90 kanë pas ulje graduale, në mes të viteve ‘90 ne kishim 1200 lindje në vit, tani në kushtet e maternitetit më pak se gjysma”.

Kurse  Nertila Sula, mjeke e konsultores së gruas në Kukës, thotë se jo vetëm që lindjet janë ulur ndjeshëm, por është rritur shumë edhe mosha e krijimit të familjes dhe e nënave që lindin fëmijë.

“Para 20 vitesh çiftet e reja dhe lindshmëria ishte në moshën 22-23 vjeç, kurse sot 30 vjeç dhe ky është një ndër faktorët që ndikon”.

Pranë gjendjes civile të Kukësit, mësojmë se ka rënie drastike edhe të numrit të martesave brenda vendit. Referuar emigracionit është rritur edhe numri i martesave me shtetas të huaj, por edhe numri i lindjeve jashtë vendit që regjistrohen në gjendjen civile të Kukësit.

Shkëlqim Shehu drejtor i gjendjes civile në Bashkinë Kukës: “Me martesat ka rënie me martesat brenda  përbrenda. Vjet 180 martesa, sivjet 170  e ca, por janë rrit martesat me shtetas të huaj”.

Kukësi gradualisht po tkurret. Sot bashkia e Kukësit ka një popullsi rreth 60 mijë banorë. Parashikimet për dy dekadat e ardhshme e zbresin këtë popullsi në rreth 31 mijë banorë. /abcnews.al

Gazetar i ABC News, Kukës: Bujar Muçmata