Arsenal-Everton përfundoi 0-1 mbrëmjen e kaluar. Tre pikë fantastike për skuadrën e Carlo Ancelottit, që nuk fitonte prej 25 vitesh në Londër ndaj “Topçinjve”. Everton po garon për një biletë në Champions League dhe ndodhet tre pikë larg vendit të katërt.
Trajneri italian i ekipit nga Liverpuli, Carlo Ancelotti vlerëson lojën e djemve të tij, suksesin ia dedikon tifozëve dhe karikon Evertonin për javët e ardhshme, aty ku do të shihet nëse do të arrihet objektivi i madh.
“Ishte shumë e rëndësishme të fitonim, pasi tre pikët na lejojnë të jemi afër vendeve të para. Ekipi zhvilloi një paraqitje të mirë, një gjë e tillë na shton besimin për të bërë mirë në ndeshjet që kanë mbetur.
Nuk fitonim në fushën e Arsenal prej 25 vitesh? Një dhuratë e jashtëzakonshme për tifozët tanë. Arsenali ishte më mirë se ne në qarkullimin e topit, por ne ishim të fortë dhe solidë në mbrojtje.
Më në fund mund të them që jemi rikthyer. Kemi kaluar një moment të vështirë, kemi pasur shumë të dëmtuar, por fitorja ndaj Arsenalit do na shtojë motivimin për takimet e radhës“, deklaroi Ancelotti. /abcnews.al

