KFOR në Kosovë: Thaçi nuk ka nevojë të marrë leje për të vizituar Veriun

schedule14:33 - 3 Tetor, 2018

schedule 14:33 - 3 Tetor, 2018

Në një reagim si përgjigje për raportimet që mediat serbe bënë rreth vizitës se presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në Liqenin e Ujmanit, ka reaguar dhe KFOR në Kosovë. Zëdhënsi Vincenso Graso deklaroi se Presidenti i Kosovës nuk ka pse merr leje për të vizituar zona që janë territori i Republikës së Kosovës.

Vizita që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bëri të shtunën e kaluar në liqenin e Ujmanit, shkaktoi reagime të shumta te autoritetet dhe mediat serbe.

Për këtë arsye është detyruar të reagojë dhe zëdhënësi i KFOR në Kosovë Vincenso Graso, i cili ka dhënë detaje për atë që ka ndodhur atë ditë. Ai theksoi se të shtunën në veri të Kosovës nuk ka ndodhur asnjë incident, arrestim apo operacion ushtarak si aludonin mediat serbe. Graso shtoi se Kreu i Shtetit është i lirë të lëvizë kudo, pa pasur nevojë për leje.

Sipas KFOR-it, situata në Kosovë është paqësore dhe nën kontroll. Prandaj, KFOR u ka bërë thirrje të gjitha palëve për të reduktuar tensionet në nivelin më të ulët të mundshëm.

Ai përsëriti se KFOR nuk ishte informuar paraprakisht për vizitën e Thaçit në veri të vendit, por sipas tij Presidenti si drejtuesi më i lartë i institucioneve të Kosovës është i lirë të lëvizë në tërë Kosovën; dhe nuk ka shkelur asnjë rregull me këtë veprim.

Graso shtoi se njësi të KFOR-it u përfshinë të shtunën në mbikëqyrjen e protestës së Vetëvendosjes në Prishtinë, në të cilën morën pjesë rreth 13 mijë njerëz. /abcnews.al