Gjyqtari Ahmet Jangulli në seancë dëgjimore para KPK

schedule10:22 - 3 Tetor, 2018

schedule 10:22 - 3 Tetor, 2018

Gjyqtari i Gjykatës Administrative Shkodër Ahmet Jangulli ka dalë sot në një seancë dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që do të bëjë Veting-un e këtij gjyqtari përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu dhe Valbona Sanxhaktari. Gjyqtari Jangulli vetohet me përparësi, pasi është kandidat për anëtar në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Procesi i Veting-ut për këtë gjyqtar do të bëhet mbi bazën e vlerësimit të tre shtyllave; pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Sipas raportit të ILDKP, të paraqitur pranë KPK, deklarimi i pasurisë nga gjyqtari Jangulli është i pasaktë, ka fshehje të pasurisë dhe mungesë burimesh të ligjshme financiare. Sipas KPK, ka diferenca mes të ardhurave të deklaruara ndër vite nga gjyqtari dhe të ardhurave të dokumentuara. Lidhur me pastërtinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar relaton në raportin e saj se gjyqtari Jangulli është i papërshtatshëm për ushtrimin e detyrës. Në bashkëpunim me një prokuror, gjyqtari Jangulli dyshohet se kanë favorizuar tre të pandehur kundrejt marrjes së ryshfetit. Tre personat ishin akuzuar për “falsifikim dokumentesh”, “përdorim pasaporte false” dhe “shpërdorim detyre”. Sa i takon aftësive profesionale, KPK vlerëson se subjekti Ahmet Jangulli ka paqartësi procedurale dhe probleme me arsyetimin e vendimeve. Ndaj tij ka disa ankesa për shkelje etike në gjyq dhe konstatohet zvarritje e proceseve gjyqësore. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!