Ngecin kryesuesit e grupit A dhe grupit B në Kategorinë e Dytë. Sopoti nuk ia doli të thyejë në fushën e vet ekipin e Tërbunit. Sfida përfundoi në barazim 1-1. Goli i Gocit kaloi Sopotin në avantazh në pjesën e parë, por miqtë nga Puka evituan humbjen falë rrjetës së Kekos.
Të dy skuadrat e mbyllën ndeshjen me nga dhjetë lojtarë. 49 pikë numëron ekipi nga Librazhdi, po aq sa Shkumbini, që ka luajtur dy ndeshje më pak. Ekipi peqinas fitoi 0-3 jashtë fushe kundër Adës. Ramazani zhbllokoi ndeshjen në pjesën e parë, ndërsa “tris”-i u kompletua nga dygolëshi i Sylkjes.
Rezultati më i thellë u regjistrua në ndeshjen Luzi-Mirdita, që përfundoi 8-0 për ekipin vendas, ndërsa ndeshja me më shumë gola ishte ajo mes Bulqizës dhe Internacional Tirana. Bulqiza triumfoi 9-2! Ndeshja tjetër, Shënkolli-Valbona përfundoi në barazim pa gola.
Maliqi-Butrinti ishte një finale e parakohshme në grupin B. Dueli u mbyll në barazim 1-1. Xaka kaloi vendasit në avantazh në mesin e pjesës së parë, por sarandiotët nuk u dorëzuan dhe gjetën golin e barazimit shtatë minuta përpara fundit të ndeshjes.
Autori ishte Mirani. 51 pikë Maliqi, 50 Butrinti (një ndeshje më shumë) dhe 47 Labëria. Këta të fundit ndodhen në formë të shkëlqyer dhe sot fituan 0-2 në fushën e Tepelenës. Golat e fitores erdhën falë realizimeve të Kardhashit dhe Caushllarit.
Gjashtë gola prodhoi dueli Permeti-Këlcyra. Një ndër derbet më të zjarrta, u mbyll me fitoren 4-2 të ekipit përmetar. Vendi i shtatë dhe 21 pikë për Permetin, ndërsa Këlcyra mban pozicionin numër nënte me tre pikë më pak se “armiqtë”. /abcnews.al