PS e Dibrës: Personi në makinën e kapur nuk është i yni, po blinte vota për LSI-në

schedule13:23 - 23 Prill, 2021

schedule 13:23 - 23 Prill, 2021

Qytetari që u kap të enjten në Dibër me para për të blerë vota nuk është i Partisë Socialiste, por i LSI-së. Kështu ka deklaruar Shtabi Elektoral i Partisë Socialiste Dibër, në një informim për opinionin publik ditën e sotme.

PS Dibër informon se mbështet hetimin për zbardhjen deri në fund të ngjarjes, por shton se pas verifikimeve rezulton se personi në fjalë, punonjës në Bashkinë Bulqizë, nuk është pjesë e strukturave të PS.

Ai, sipas PS,  është punësuar në vitin 2015 nga deputeti i LSI Përparim Spahiu, me të cilin ka edhe një lidhje krushqie.

Më tej në reagim thuhet se PS Dibër nuk e di nëse vërtet bëhet fjalë për një blerës votash për LSI, ndërsa shtojnë se kjo i mbetet për ta qartësuar drejtësisë.

“Ajo që ne dimë dhe e themi me plot gojën është se ky individ s’ka lidhje me PS dhe se nëse ka një shqetësim real për mundësinë e shitblerjes së votave, ky shqetësim vjen vetëm nga një parti: Lëvizja Socialiste për Integrim,” përfundon deklarata.

Kujtojmë se dje, dy persona u ndaluan në hyrje të Maqellarës dhe makinën e tyre u gjet një shumë prej rreth 7 milionë lekësh që dyshohet se do i përdornin për të blerë vota. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!