Ditën e sotme në Montreux të Zvicrës është mbledhur Komiteti i ri Ekzekutiv i UEFA-s, ku në rendin e ditës janë dy çështjet kryesore që po diskutohen. Bëhet fjalë për dënimet për klubet që organizuan Super League si dhe për konfirmimin e qyteteve ku do të zhvillohen ndeshjet e kampionatit europian.
Kujtojmë që para disa ditësh qyteti i Bilbaos flitej se do të “fshihej” ngaa harta e Euro 2020 për shkak se në rajonin e baskëve ende nuk lejohet pjesëmarrja e tifozëve në stadium. Kjo si pasojë e rasteve të shumta me Covid-19 e tashmë ky lajm është pothuajse zyrtar.
Ka qenë nënkryetari dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Zibi Boniek, ai që ka konfirmuar se Bilbao nuk do të presë ndeshjet e europianit. Qyteti spanjoll është zëvendësuar me atë të Seviljas, ku pritet të lejohen tifozët në stadiume. Ndërkohë, lajm i mirë është se janë konfirmuar qytete si Roma dhe Mynihu, ku çdo gjë do të vijojë sipas parashikimeve. /abcnews.al