Në Kryeministri është zhvilluar ceremonia e dhënies së “Medaljes së Artë” për nxënësit që kanë përfunduar gjimnazin me rezultate të shkëlqyera.
Gjatë fjalës së tij Rama u bëri thirrje të rinjve që sa herë të ndodhen në vështirësi të kujtojnë prindërit dhe përpjekjet e mëdha që ata kanë bërë drejt realizimit të ëndrrave të tyre, ndërsa theksoi se të rinjtë duhet të këmbëngulin drejt suksesit.
“Ëndrra që shikoni më sy hapur është aty për ju dhe nuk vjen rastësisht. Ajo ju thotë që ju jeni bërë për ta realizuar, por ju takon juve, i takon njeriut sepse ndryshe do t’ja dilnim të gjithë. Shumë mirënjohje për forcën e shembullit tuaj. Arsyeja përse doja ta ndaj me ju këtë moment është që të gjithë ata që na ndjekin të marrin shembull.
Ka plot vajza dhe djem që mund të kenë nevojë për shembullin tuaj. Sot bota është e guximtarëve, e këmbëngulësve dhe e të duruarve. Në këtë botë ka vend për të gjithë dhe të gjithë jemi udhëtarë që kalojmë dhe ikim, po ka shumë mundësi udhëtimi. “Medalja e Artë” është një shenjë e forcës që ju e keni brenda”, tha Rama.
Ndërsa si model frymëzimi Rama përmendi shembullin e sopranos shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho.
“Sot para jush kam nderin që t’i drejtohem pjesës më të mirë dhe më të bukur të shoqërisë sonë, vajzave dhe djemve që nuk i vënë kufijtë imagjinatës së tyre dhe nuk kapen pas 100 e më shumë justifikimeve të mundshme, por bëjnë sukses. Më vjen mirë që së bashku me ministren e Arsimit dhe me Borën që dikur ka qenë njëra si ju, sot është këtu me mua, të mund t’ju dorëzojmë medaljet e arta, të cilat pa asnjë diskutim do të mbeten në jetën tuaj dhe në jetën e prindërve tuaj një shenjë e një krenarie të madhe.
Por jo vetëm e një krenarie, por e një besimi se asgjë nuk është e pamundur kur njeriu është i vendosur për ta realizuar ëndrrën që sheh me sy hapur.
Shembullin e Ermonela Jahos do ta sjell prapë. Ajo ishte si ju një vajzë në Liceun Artistik që nuk kishte asgjë tjetër përveç ëndrrës së vetë për t’u ngjitur në majën që sot gjendet. Rrezaton si një yll i posaçëm në qiellin e muzikës klasike. Vinte nga një familje e varfër dhe për më tepër në grupin e vajzave që studionin në Lice, profesorët nuk e shquanin si njeriu që do të shkëlqente në skenën e botës, por si një njeri me shumë vullnet. Si një vajzë që fliste për një ëndërr që ju dukej për të qeshur”, u shpreh ai.
/abcnews.al/