Piktori dhe shkrimtari i njohur shqiptar, Maks Velo, ishte i ftuar në “Provokacija” në ABC News. Velo foli rreth zhvillimit të qendrës së Tiranës. Sipas tij, edhe pse sheshi është një realizim i mirë nga stafi nuk i përgjigjet kontekstit të qytetit dhe është shumë i gjelbëruar.
Maks Velo: “E di si është puna Muç? Aty sikur je në Holandë”.
Mustafa Nano: “Epo është OK”.
Maks Velo: “Jo, prit tani. Është tjetër qytet. Kjo gjë është edhe e mirë dhe e keqe. Në qoftë se qendra e qytetit e ndjen veten sikur nuk je në atë qytet nuk e di se si e konsideron. Sigurisht është një realizim i mirë i stafit, por kur del pëson një shok. E dyta ka një problem. Aty është një territor i madh i gjelbëruar. Është më i madh se parku botanik. Janë mijëra e mijëra pemë dhe shkurre. Problemi është se duhet t’i mirëmbash. Duhet të kesh një ekip që t’i mirëmbash, me qindra botanistë. Asnjë s’ka. Bimësia ka ardhur duke u degraduar. Nuk është vetëm ta bësh, por edhe ta mbash”.
Më tej, Velo tregoi dhe gabimin e kryeministrit Rama, që është kulla e betonit.
Maks Velo: “Ajo godina e betonit që është bërë karshi ortodokses ajo merr pjesë shumë në shesh. Shkatërron Bankën. Të duket sikur ngado të vërtitesh ajo të vjen sipër. Edhe te xhamia, edhe te Sahati, edhe te Ministria e Brendshme e ke sipër. Është shumë e fuqishme sepse është e llojit arkitekturë-skulpturë. Duhet studiuar mirë sepse ka një forcë të madhe vepruese dhe jo gjithmonë pozitive.”
Mustafa Nano: “Domethënë ajo kullë ishte gabim”?
Maks Velo: “Ishte një gabim dhe është një ndër gabimet e Ramës sepse Rama kështu bën, vendos vetë”./abcnews.al