Përtej politikës: Sa njerëz jetojnë në Ballkanin Perëndimor?!

schedule20:56 - 21 Prill, 2021

schedule 20:56 - 21 Prill, 2021

Emisioni Ballkan-Linda Karadaku

Sa njerëz jetojnë në Ballkanin Perëndimor?  Vështirë të thuhet saktë. Trashëgimia e konflikteve të viteve 1990, lëvizjet e detyruara të popullsisë dhe shpërnguljet, dhe intensifikimi i krizave të emigracionit, e bëjnë të vështirë të përcaktohet saktë sesa dhe si kanë lëvizur numrat e popullsisë. Ndërkohë që emigracioni është kryesisht një reagim ndaj dështimit politik, përfshirë korrupsionin e përhapur në Ballkanin Perëndimor, politikanët në vendet e rajonit shpesh kërkojnë të përfitojnë nga kriza, me një logjikë cinike afatshkurtër. Nëse njerëzit emigrojnë, shifrat e papunësisë bien dhe të ardhurat nga emigrimi rriten. Qeveria duhet të paguajë më pak mësues, mjekë, apo profesione të tjera. Por rrënjët e problemit shkojnë më thellë dhe kanë të bëjnë me kushte specifike për vende të ndryshme.

Për ish-Jugosllavinë, analistët e politikave dhe gazetarët shpesh përdorin regjistrimin e fundit të ish-Jugosllavisë të vitit 1991, por në Kosovë, shqiptarët e bojkotuan këtë regjistrim. Regjistrimi i fundit në Kosovë është mbajtur në vitin 2011, por serbët në veri të vendit e bojkotuan atë. Ish-republika jugosllave e Maqedonisë së Veriut mbajti regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2002, shtyu regjistrimin e vitit 2011, dhe së fundi, shtyu edhe regjistrimin e nisur në mars për diasporën dhe që pritej të bëhej në prill për popullsinë brenda vendit.

Bosnja mbajti regjistrimin e saj të fundit në 2013, por rezultatet u dëmtuan nga polemikat në lidhje me thirrjet e grupeve etnike për votimin e personave që gjendeshin jashtë vendit. Në Serbi, shqiptarët e Luginës së Preshevës bojkotuan regjistrimin e vitit 2011. Problemi kryesor është se mungesa e statistikave të besueshme e bën politikëbërjen serioze gati të pamundur. Autoritetet duhet të dinë nëse vendi i tyre ka humbur, për shembull, 1 përqind ose 11 përqind të popullsisë – dhe nëse ndryshimet e popullsisë po ndodhin kudo apo vetëm në rajone të caktuara.

Problem tjetër është kur qeveritë përdorin mungesën e të dhënave të sakta statistikore për të përfituar. Për shembull, listat e vjetruara elektorale mund të sigurojnë mundësi për të vjedhur votat. Përveç manipulimit zgjedhor, numrat e pasaktë mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta politike. Gjatë referendumit të Maqedonisë së Veriut në Shtator 2018 mbi ndryshimin e emrit të vendit të tyre, 94 përqind e votuesve mbështetën propozimin – por vetëm 36.8 përqind e atyre në listat elektorale morën pjesë. Në këtë mënyrë, referendumi dukej se binte nën pragun e kërkuar të pjesëmarrjes në votime. Megjithatë, një arsye e madhe për pjesëmarrjen e ulët ishte se lista zgjedhore ishte aq e vjetëruar sa përfshiu emrat e qindra mijëra njerëzve që ishin jashtë vendit por kishin mbetur të regjistruar si banorë.

Po kështu, është e vështirë të mbledhësh të të dhëna të sakta për emigracionin. Banka Kombëtare Kroate ka bërë punë shumë të mirë në lidhje me këtë, por edhe përpjekje të tilla janë të prirura për gabime. Përshembull, një grua nga Osijeku, në Kroacinë lindore, çdo një vit, mund të kalojë gjashtë muaj në shtëpi, por punon edhe në dy vende të tjera. Si rezultat, të dhënat do të sugjeronin se ajo është rezidente në të tre vendet. Numri i kroatëve që jetojnë jashtë është gjithashtu i ndërlikuar nga fakti se disa prej tyre – ndoshta deri në 20 përqind – janë në të vërtetë nga Bosnja, por posedojnë pasaporta të BE-së për shkak të të qenit, ose duke pretenduar të jenë, kroatë boshnjakë që kanë të drejtë të kenë shtetësinë kroate.

Gjithsesi, ky vit është vit I regjistrimit, por në Ballkan, disa përpjekje për regjistrim janë shtyrë për kohë të pacaktuar ose janë në pritje.  Agjencitë statistikore në pjesën më të madhe të ish Jugosllavisë nuk kanë burime financiare dhe mjedis politik për të mbledhur statistika të sakta dhe tensionet ndër-etnike shtrembërojnë rezultatet si në rastin e Maqedonisë së Veriut – madje edhe përpjekjet për të mbledhur të dhëna.

Në Mal të Zi, I cili ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2006, Qeveria e re e Zdravko Krivokapic e ka shtyrë regjistrimin e planifikuar në prill, për më vonë këtë vit. Por, pengesat organizative e mungesa e konsensusit politik mund ta rrezikojnë edhe atë afat kohor.  Ndërkohë Beogradi ka kohë që përpiqet të përdorur ata që ndjehen serbë në Mal të Zi për të forcuar praninë e tij në këtë vend dhe për të rritur ndikimin rajonal.

Gjatë regjistrimit të fundit në Mal të Zi, në vitin 2011, në një nga reklamat dukej tenisti serb, Novak Gjokoviç, duke i inkurajuar njerëzit që “të jenë ata që janë”. Në fund, gati 29 për qind e qytetarëve në Mal të Zi e deklaruan veten serbë në atë regjistrim. Së paku dy herë në 18 muajt e fundit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka theksuar publikisht rëndësinë e pjesëmarrjes së serbëve në regjistrimin e popullsisë në Mal të Zi.

Vucic: “Ne nuk ndërhyjmë në regjistrim… por, është e rëndësishme për ne që populli serb të mos zhduket”, tha Vuçiç. Ai deklaroi gjithashtu më vonë, në gusht, se është thelbësore që “të ruhen numrat e serbëve në Mal të Zi, sepse atëherë Serbia mund të thotë se ka pasur pasur sukses në ndihmën për popullin e saj.

Në muajin shkurt, kryeministri Zdravko Krivokapiç ka trazuar ujërat edhe më shumë duke mbështetur shtetësinë për njerëzit që jetojnë në Mal të Zi me dekada, por që kanë shtetësi të huaj.

Në Serbi, zyrtarët tashmë kanë shtyrë regjistrimin e popullsisë duke përmendur si arsye pengesat për rekrutimin dhe trajnimin e regjistruesve në kohë pandemie. Serbia ka humbur qindra mijëra njerëz nga emigracioni që prej regjistrimit të fundit zyrtar në vitin 2011. Shumë ankohen për ngecje politike, korrupsion dhe kapje të shtetit nga Vuçiçi dhe aleatët e tij. Sfidat më serioze të regjistrimit të ardhshëm mund të qëndrojnë në bindjen e të gjitha palëve për besueshmërinë e tij. Bojkotimi i zgjedhjeve nga opozita e ka lënë Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiçit me një super-fuqi, gjë që përjashton mbikëqyrjen serioze politike të procesit të regjistrimit.

Përveç kësaj, janë sigurisht edhe problemet etnike. Rreth 6 milionë nga afërsisht 7 milionë banorët e Serbisë e kanë deklaruar veten serbë në regjistrimin e fundit. Por një milion janë pakica kombëtare, hungarezë, shqiptarë, boshnjakë, romë dhe të tjerë. Shumë boshnjakë dhe shqiptarë e kanë bojkotuar regjistrimin një dekadë më parë, duke u ankuar për gjuhën në format e regjistrimit dhe shpërndarjen e regjistruesve. Nuk është e qartë nëse këtë herë do të jetë ndryshe.  Përveç pengesave teknike, problem tjetër I madh për shqiptarët është cështja e fshirjes së adresave të vendbanimit për shumë prej tyre. Parlamenti Evropian miratoi në mars një rezolutë për të hetuar argumentat se Serbia ka klasifikuar si “joaktive” adresat e shqiptarëve që mendohet se nuk jetojnë më në këto adresa.

Raportuesi i Përhershëm për Serbinë, Vladimir Bilcik, dhe homologia e tij për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, thanë se “BE-ja do të hetojë më thellë dhe do të merret me këtë çështje”. Ata theksuan se BE-ja “ka nevojë për më shumë kohë për të mbledhur të dhëna empirike mbi problemin nga rajoni”. “Është diçka me të cilën duhet të merremi në Komisionin dhe Këshillin Evropian”, tha von Cramon, duke shtuar se hetimi do të shihte “se cilat rezoluta dhe traktate ndërkombëtare janë të detyrueshme për Serbinë që ajo ta ndërpresë këtë proces”. Bilcik theksoi se është e rëndësishme të rregullohet statusi I gjithë njerëzve që jetojnë në këto territore”.

Analiza e të dhënave të votuesve dhe deklaratat e përfaqësuesve politikë dhe të shoqërisë civile tregojnë se këto veprime mund të kenë prekur disa mijëra shqiptarë në zonën e Luginës së Preshevës të cilët rrezikojnë të humbin të drejtat themelore, nëse adresat e tyre klasifikohen zyrtarisht joaktive. Ekspertët dhe politikanët shqiptarë thonë se kjo praktikë është shkelje e të drejtave të njeriut dhe po ndryshon artificialisht përbërjen etnike të zones. Këta shqiptarë me adresa të “pasivizuara” rrezikojnë të mbesin pa asnjë shtetësi, pasi u mungon edhe dokumentacioni përkatës nga Kosova./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!