Përmes sekretarit të saj të Përgjithshëm, Partia Socialiste akuzoi Prokurorinë se po mundohet të mbyllë dosjen CEZ, që konsiderohet nga kjo forcë politike si një prej dosjeve më të qarta të korrupsionit në 27 vjet. Duke iu referuar kërkesës së Prokurorisë dërguar Gjykatës për mbylljen e çështjes, Taulant Balla akuzoi se Prokuroria po bën pazare, duke u shfaqur si vegël e politikës.
Kërkesa e Prokurorisë drejtuar Gjykatës për mbylljen e dosjes CEZ dhe pushimin e procedimit penal të nisur, ka ngjallur reagimin e Partisë Socialiste. Sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla, ka akuzuar organin e Akuzës se po përpiqet të mbyllë një prej dosjeve të cilësuar prej tij si më të qartat e korrupsionit në 27 vjet, pa kryer asnjë hetim. Kjo sipas nr. 2 të PS-së, po bëhet pa marrë në pyetje asnjë të akuzuar, asnjë dëshmitar, apo person në dijeni dhe pa marrë në konsideratë asnjë prej gjetjeve të Raportit Përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar.
Duke akuzuar prokurorët se po sillen me shqiptarët si mish për top, Taulant Balla i cilëson ata si kukulla të një teatri të neveritshëm me drejtësinë, në emër të interesave politike. Sekretari i Përgjithshëm i socialistëve rëndon akuzën, kur pohon se “Prokuroria po bën pazare që vijnë erë të keqe me kilometra larg. Prokuroria – shton Balla – po shfaqet si vegël e politikës dhe padrejtësisë, po provon me veprimet e mosveprimet e saj se ka brenda një kalbëzim të tmerrshëm”.
Dosja e CEZ për të cilën kërkohet mbylla, sipas Ballës, kishte material të shkruar me fakte kompromentuese, me emra peshqish të mëdhenj e të vegjël, të dyshuar për krim ekonomik e korrupsion në përmasa tronditëse, ndërsa po i njëjti institucion, krahason numri dy i PS-së duke iu referuar çështjes Tahiri, u ngrit brenda ditës për të arrestuar një deputet mbi bazën e një materiali të botuar në media.
Balla përmbyll reagimin e tij, me bindjen se Prokuroria nuk do ta ndalë dot orën e drejtësisë që po vjen, edhe sikur të gjejë në gjykatë – thotë ai – njerëz të tredhur e të korruptuar si ata që e kanë çuar dosjen e CEZ për ta varrosur, pa asnjë hetim minimal.